TIRANE- Bëhet fjalë për një ndër dy banjot publike, të cilat gjendeshin në afërsi të hyrjes kryesore të Qendrës Universitare Spitalore “Nënë Tereza”. Më konkretisht, ata ndodheshin në lulishten që ndodhet midis spitalit Infektiv dhe godinës së re të fakultetit të Mjekësisë. Në fakt ata ndodheshin aty deri para pak javësh, pasi tashmë në vend të tyre, është ndërtuar një lokal i ri, mjaft modern. Pronarët e rinj të lokalit janë kujdesur që t’i japin një pamje të këndshme edhe ambientit rreth e rrotull, duke krijuar një hapësirë të bukur dhe shlodhëse. Por problemi nuk qëndron në hapjen e një lokali të ri, që në fakt qendrës më të madhe spitalore në vend nuk i mungojnë, madje i ka me shumicë, por në faktin se zhduket një nga dy banjot publike të QSUT, të ndërtuara dekada më parë dhe të llogaritura që të përballojnë fluksin e madh të personave që vizitojnë çdo ditë spitalin më të madh në vend. Dhe në të vërtetë ky spital, nuk ka nevojë për një lokal më shumë, por sigurisht që do të kishte nevojë për një banjo publike më shumë dhe që të ishte e përshtatshme dhe jo në atë gjendje të mjerë që ndodhej jo vetëm ajo që u prish, por edhe ajo ekzistuesja. Tashmë, ky spital, i cili pret çdo ditë me mijëra pacientë dhe të afërm të tyre, ka vetëm një banjo publike dhe ajo jashtë çdo standardi apo kushti higjieno-sanitar që duhet të ofrojë. Ajo gjendet pas spitalit të sëmundjeve të brendshme, i njohur ndryshe si 6-katëshi, dhe u është dhënë për përdorim privatëve, të cilët kujdesen që t’i mirëmbajnë, funksion të cilin nuk e bëjnë aspak, dhe e ofrojnë shërbimin me pagesë. Në fakt këto banjo, të vetmet që kanë mbetur publike edhe në QSUT, nuk kanë parë investime që prej vitesh dhe gjendja e tyre ka ardhur duke u degraduar, që kur janë ndërtuar dekada më parë, rreth viteve 80-të. Mësohet se ka qenë pikërisht kjo arsyeja që Qendra Universitare Spitalore “Nënë Tereza” të detyrohet të mbyllë banjot publike dhe në vend të tyre të ofrohet një shërbim krejt tjetër. “Ata ishin në gjendje të mjerueshme, dhe për shkak të gjendjes në të cilën ishin katandisur nuk u vinin në shërbim as personave që vizitonin QSUT-në, pasi ishin thuajse të pafrekuentueshme. Në atë situatë, ata ishin bërë më tepër një rrezik nga ku mund të shpërthente ndonjë epidemi, pasi nuk plotësonin as një kusht higjieno—sanitar. Ndaj vendosëm që ata të mbylleshin, pasi QSUT e ka edhe një banjo tjetër publike, që për hir të së vërtetës as ajo nuk e kryes si duhet funksionin e saj, dhe ta japim me qira për të kaluar në një tjetër funksion”, - na sqarojnë burime pranë QSUT-së. Ndërkohë që atyre mijëra personave që u duhet çdo ditë të shkojnë në ambientet e qendrës Universitare Spitalore “nënë Tereza”, iu duhet që nevojat e tyre personale t’i kryejnë në ndonjë lokal, që për hir të së vërtetës, nuk është e vështirë t’i gjesh në çdo cep dhe çdo spital.
(sg/shqiptarja.com)