CESIS (Letoni), 12 dhjetor /ATSH-AFP/ - Një avion rus ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë fundjavën e kaluar, deklaroi ministri estonez i Mbrojtjes, Sven Mikser, në përfundim të një takimi me homologët lituanez, letonez dhe polak.
"Ne kemi pasur të paktën një incident që ka të bëjë me shkeljen e hapësirës tonë ajrore gjatë fundjavës", theksoi Mikser në përfundim të takimit në Cesis, në Letoni.
Ky takim u zhvillua në një klimë të tensionit në rritje në vendet balltike për shkak të demonstrimeve të forcës nga ana e Rusisë, avionët e të cilës dhe anijet ushtarake po i afrohen kufijve të tyre, ndërkohë që aneksimi i Krimesë në muajin mars ka mbetur në kujtesën e të gjithëve.
"Këto veprime nga Rusia kërkojnë që NATO të tregohet më e vendosur dhe të konfirmojë bashkimin e saj", shtoi Mikser.
Ministrat konfirmuan se vendet e tyre nuk do të lejojnë të kërcënohen nga Rusia duke shtuar se prania ushtarake ruse ishte e pazakontë, sipas homologut polak, Tomasz Siemoniak, i cili ishte i pranishëm në këtë takim.
"Ne kemi parë shumë lëvizje të avionëve ruse në hapësirë. Kemi parë bombarduese strategjike me rreze të gjatë veprimi, që nuk kanë qenë të zakonshme në territorin tonë. Këto fluturime janë provokime të panevojshme", deklaroi Mikser.
"Ne duhet të reagojmë në mënyrën e duhur dhe të tregojmë qartë se solidariteti i Aleancës është i fortë", shtoi ai./
/ec/









