PRISHTINË- Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Agim Çeku po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Letonisë.
Sipas KosovaPres, delegacioni i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës u prit në Riga nga ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Raimonds Vejonis dhe stafi i lartë kësaj ministrie.
Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes të Letonisë kanë marrëveshje bashkëpunimi, dhe kjo vizitë po zhvillohet me qëllim, thellimin e këtij bashkëpunimi.
Ministri i Letonisë i konfirmoi ministrit Çeku gatishmërinë e tij për mbështetjen në zhvillimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, si dhe vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh mes dy ministrive.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku falënderoi ministrin e Mbrojtjes si dhe Qeverinë e Letonisë për mbështetjen e pakursyer për zhvillimin e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, që është thelbësore për Kosovën.
Ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Raimonds Vejonis, gjatë takimit, ipremtoi ministrit Çeku ndihmën dhe mbështetjen e tij për FSK-në dhe Kosovën në integrimet evropiane dhe euro-atlantike.
"Letonia i mbështet aspiratat euro-atlantike të Kosovës dhe është e gatshme të ndajë me të përvojën e saj në lidhje me procesin e integrimit në NATO. Unë jam shumë i kënaqur me bashkëpunimin e mirë mes Letonisë dhe MFSK-së. Letonia është gjithashtu e gatshme ta ndihmojë Kosovën në zhvillimin e forcave të saj të armatosura në të ardhmen", ka thënë ai.
Çeku e informoi homologun e tij edhe për planet e Kosovës, për ngritjen e forcave të saj të armatosura, dhe theksoi se Kosova dëshiron t'i bëjë këto zhvillime me mbështetjen e NATO-s.
Delegacioni i MFSK-së e vazhdoi vizitën e tij në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kombëtare të Letonisë dhe në Bazën Ushtarake në Adazhi./ATSH/