'Letra e gjendur ku thuhet: Poshtë Partia me në krye Enver Hoxhën duhet të jetë shkruar nga…’/ Relacioni i Sigurimit, maj 1972

'Letra e gjendur ku thuhet: Poshtë Partia me në krye Enver Hoxhën duhet të jetë shkruar nga…’/ Relacioni i Sigurimit, maj 1972

Memorie.al publikon  një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.

Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Afrim Kaçi dhe i miratuar nga Shefi i Seksionit të Sigurimit të Repartit Ushtarak 2975, Zabit Gjetani, dërguar Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, lidhur me vijë-sjelljen e Kaso Hoxhës, gjatë kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga ana e tij                    

                                                                                                                    “Sekret”

                                                                                                                  Në dy kopje

                                                                                                               R E L A C I O N

Gjatë dy vjetëve që kryen shërbimin ushtarak në repartin 2975 Tiranë ushtarët; 1. Kasem Çerçiz Hoxha i ditëlindjes 1951, nga Markati i Sarandës. 2. Thoma Miçoni i datëlindjes 1951 nga K. Grave i Sarandës. I Pari është mbajtur si kontingjent dhe nga kontrolli agjentural si dhe masat e tjera agjenturiale operative vërtetuam:

Gjatë vitit 1971 Kasem Hoxha, Thoma Miçoni dhe Agim Baxho (ky i fundit nga Delvina dhe para se të lirohej u arrestua për vjedhje sistematike, të pasurisë personale dhe kolektive) kanë vjedhur në grup pemë dhe perime të pasurisë personale e kolektive, gjatë kryerjes së shërbimit të garnizonit kanë organizuar largime pa leje, nga reparti duke cënuar gatishmërinë luftarake dhe gjatë punimeve operative, me qëllim që të mos lodheshin, mbushnin vagonët me gurë e me dhe, i zbraznin për gjysëm dhe i kthenin gjysëm të mbushura. Me veprimet e tyre ndikuan negativisht edhe tek ushtarët e tjerë, duke krijuar një gjendje të rëndë në n/repart.

Me datën 23/X/1971, u organizua një mbledhje ku para masës u nxorën të përmendurit dhe në përfundim u vendos që, të arrestohesh Agim Baxhua, ndërsa Kasem Hoxha dhe Thoma Miçoni, u paralajmëruan se edhe ata ishin për në burg, por duke marrë parasysh se reaguan për fajin u lanë të lirë.

Ne mendojmë se Kasem Hoxha dhe Thoma Miçoni, duhet të mbahen si kontingjent vjedhës, mbasi në ushtri kanë qenë tipik.

Njëkohësisht Kasem Hoxha në bisedë me B.p. “Flutura”, i ka thënë se ka një kushëri të parë të arratisur Selfo Hoxha dhe ka patur korrespondencë me të vëllain e tij që është i internuar.

Nga korrespondenca, nuk kemi zbuluar ndonjë gjë të dyshimtë.

 Tiranë 6/XII/1971                                               U pa

Punëtori Operativ                                 Shef i Seks. Sig. Rep. 2975                    

Afrim Kaçi                                                       Zabit Gjetani

 

Dokumenti sekret i hartuar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Skënder Dhroso, lidhur me letrën anonime “me përmbajtje armiqësore”, që ishte gjetur në qendrën e fshatit Markat

                                                                        RELACION

Mbi një letër anonime me përmbajtje armiqësore

Në datën 20 Maj 1972, rreth orës 0.5.30, në qendër të katundit Markat u gjet një letër anonime me përmbajtje armiqësore, nga qytetar i Haki Fuat Myrto.

Letra në fjalë është fletë blloku i vogël shënimesh dhe e shkrojtur nga të dy anët e saj, në njërën anë, siç do të shikoni dhe vetë është shkrojtur: “Vite të rinj, por ditët janë të zeza, me këto pak fjalë të dashur shqiptarë dua të shkruaj vuajtjet tuaja të pa numërta.

Me këtë titull mund të shkruash një roman të gjithë. Kështu or vëllezër nuk durohet, prandaj duhet të ngrihemi që të gjithë në këmbë që të fitojmë të drejtat tona. Besoj se më kuptoni.

Poshtë Partia me Enver Hoxhën në krye, të rojë sa malet klasa punëtore”, ndërsa në anën tjetër të letrës shkruhet: “Lavdi grupit tonë heroik me në krye shokët T. Sejko dhe T. Demi”.

Me një herë mbas marrjes njoftime mbi sa sipër, u dërgua në vend grupi operativ dhe nga hetimet paraprake rezulton se:

Qytetari Haki Fuat Myrto nga katundi Markat, atë mëngjes ka dalë nga shtëpia rreth orës 0.50.15, nga ku shkoi për të lajmëruar një shokun e tij, me të cilin do të shkonte në punë.

Duke ardhur nga shtëpia e Ilmi Hoxhës për në klubin e fshatit, nën zyrat e sektorit dhe paralel me shkollën 8 vjeçare, gjen këtë letër të hedhur për tokë.

Sipas tij, në këtë vend ka pasë dhe disa copa letra të tjera, por kjo i tërhoqi vëmendjen për shkak se kishte disa zbukurime të bëra me laps në formë kurore.

Menjëherë si e mori letrën dhe e lexoi, informoi babanë e tij Fuat Myrton, i cili në atë kohë ishte në afërsi të klubit të fshatit në pritje të shokëve për të shkuar në punë, babai e këshillon Hakinë që këtë letër, ta dorëzonte në organet kompetente, por ndërkaq panë se po vinte përgjegjësi i sektorit A.P. Rexhep Rexho, i cili është edhe baxhanak me Hakinë dhe në këtë mënyrë, vendosa t’ja japin Rexhepit.

Duke analizuar përmbajtjen e kësaj letre dhe në përgjithësi gjendjen në katundin Markat, arrimë në konkluzion se:

  1. Letra në fjalë duhet ta ketë shkruajtur nga banorë të katundit Markat, ku neve kemi një numër relativisht të madh kontigjentësh të ndryshme armike, qoftë si lidhje, të ish pjesëtarëve të grupit të Teme Sejkos, të diversantëve që kanë vepruar në drejtim të rrethit tonë etj.

E themi një gjë të tillë për faktin se në katundin Markat, ka pasë vazhdimisht veprimtari armiqësore të theksuar, arratisje për në Greqi, mungesë uniteti në popull, grindje, mosmarrëveshje e tarafllëqe, në mes të banorëve të fshatit, kështu që të gjitha këto, ka mundësi të jenë si rezultat i një pune të organizuar armiqësore, nga ana e Zbulimit Grek dhe nëpërmjet këtij trakti, të krijojnë mendimin në masat për ekzistencën e fijeve të komplotit të Teme Sejkos.

Lidhur me sa sipër, arrimë në këtë konkluzion edhe për arsye se, në datën 9 Maj 1972, në një rrugë këmbësorësh, që të çon nga fshati Markat për në fushë, gjetën të shkruara në disa pllaka guri shkrime me përmbajtje armiqësore, si p.sh.: “punoj për Greqinë”, “jam unë Bajram Shuaipi” (Bajrami është i arratisur) etj.

Këto parulla qenë shkruar nga tre fëmijë (vajza), dy prej tyre në klasën e IV-të fillore dhe tjetra në klasën III-të. Të treja këto vajza, janë nga familje me qëndrim politik të mirë, dy nga këto, që janë motra kanë dy xhaxhallarë anëtar Partie, këto veprime të kryera nga këta fëmijë, duke pasë parasysh edhe përmbajtjen e shkrimeve, duhet të jenë kryer, nën ndikimin e personave të tjerë, qofshin prindërit e tyre apo lidhjet të afërta, të cilët duhet të jenë futur në veprimtari armiqësore dhe që me këto veprime të kryera nga fëmijë, kanë dashur të shikojnë reagimin e masave, organizatës Partisë apo dhe Organeve tona, ndërsa fill pas kësaj ngjarje, hedhin letrën tjetër për të cilën bëhet fjalë.

  1. Nuk përjashtohet rasti që kjo letër të jetë pregatitur e hedhur edhe nga persona vendas, por që aktualisht nuk banojnë ne Markat, por që në këtë drejtim, mund të kenë aktivizuar lidhjet e tyre atje, për arsye se javën e kaluar, ka qenë për disa ditë në fshat, djali i ish-agjentit të Zbulimit Grek dhe pjesëtar i grupit të komplotistëve, Haxhi Bilalit, i quajtur Ylli Bilali, i cili punon në minierën e Kripës së Dhrovjanit, ndërsa aty nga data 17-18 Maj, ka shkuar në Markat, i quajturi Eqerem Ziguri, djali i gruas se Haxhi Bilalit, i cili punon edhe ai në minierën e kripës. Eqeremi, qoftë gjatë ditës që u gjet letra, apo dhe të nesërmen që shkoi grupi operativ, ka qëndruar gjithë ditën në qendër të fshatit dhe ka bërë disa lëvizje.
  2. Nga përmbajtja dhe mënyra e shprehjeve, autori është munduar të japë përshtypjen se, është njeri i huaj (person i ardhur nga jashtë), d.m.th., diversant, por që në mendojmë se nuk duhet të qëndrojë kështu, megjithatë, me qenë se kemi pasë edhe sinjalizime, për hyrje diversantësh në këtë fshat, nuk përjashtohet mundësia, që autori të jetë ndonjë i arratisur, i ardhur si diversant me detyra nga Zbulimi Grek.
  3. Mendojmë se letra nuk duhet të jetë pregatitur dhe hedhur nga një person, por kjo duhet të jetë si rezultat i një pune të organizuar dhe që në këtë katund, të veprojnë mbeturina të grupit armiqësor tradhtarit, Teme Sejko.

Për këtë problem, u përpilua plani masave agjenturalo-operative dhe po punohet për zbulimin e autorëve të letrës, për çdo gjë që do të na dalë do tu njoftojmë.

Kon.Dak. H. Kardhashi                                                  Zv. Kryetari i Degës P. Brendshme

Kopje 3                                                                                           Skënder Dhroso

Datë 23/X/1972

Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Novruz Haxhiu dhe Shefi i Seksionit të I-rë, Halit Kardhashi, i aprovuar nga Zv / Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Skënder Dhroso, mbi hapjen e fashikullit të kërkimit për zbulimin e gjetjen e autorit të letrës anonime “me përmbajtje armiqësore”, të hedhur në qendër të fshatit Markat

 APROVOHET                                                                           “SEKRET”

ZV/KRYETARI DEGËS P. BRENDSHME                         Sarandë më 27.V.1972

SKËNDER DHROSO

                                                   VENDIM

“Për hapjen e fashikullit të kërkimit”

Unë, punëtori Operativ i Degës P. Brendshme të rrethit Sarandës Novruz Haxhiu, mbasi studiova letrën anonime të gjetur në katundin Markat në datën 20 Maj 1972.

GJETA:

Se në datën 20 Maj 1972, rreth orës 05.30, nga ana e qytetarit Haki Myrto u gjet në qendër të katundit Markat, një letër anonime me përmbajtje armiqësore. Në këtë letër, ndërmjet të tjerash shkruhej:

“ … Me këto pak fjalë të dashur shqiptarë, dua t’u përshkruaj vuajtjet tuaja të pa numërta…! Kështu or vëllezër nuk durohet, prandaj duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë, për të fituar të drejtat tona. Poshtë Partia me Enver Hoxhën në krye. Lavdi grupi tonë heroik me në krye T. Sejkon e T. Demin…”.

Siç shihet, në këtë letër autori i saj bën thirrje për organizim dhe rrëzimin e pushtetit tonë. Duke marrë parasysh sa sipër, me qëllim që të arrimë në zbulimin e autorit të kësaj letre, të grumbullojmë të gjitha materialet, që do të dalin në drejtim të letrës dhe personave që mund ta kenë shkruar atë:

VENDOSA:

Që të hap fashikullin e kërkimit për autorin e letrës anonime me përmbajtje armiqësore të gjetur në katundin Markat./Memorie.al

Punëtori Operativ                                                                  Shefi Seksionit I-rë

Novruz Haxhiu                                                                            Halit Kardhashi

Vijon numrin e ardhshëm

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Shiroke: 14/08/2022 12:28

    Spiunlleqe idiote pa pik interesi letra anonime GJETHI,PLEPI.Kta te diktatures kan ken ba me hije,na pushtun sot na pushtun neser prej kojshive Grekut,Jugosllavise e SHBA se tu ju thane Shqipareve jena veni i vetem komunist ne bote,e ne ne goje te ujkut hellim valle(se te len edhe fort ujku me hjedh valle po te futi ne goje),na ishim 100 vjet mrapa ne zhvillim me vendet e tjera si ne MESJETE.

    Përgjigju
  • xxx: 14/08/2022 12:24

    Ik o kalosh se keto gjera nuk jane te reja shkruaj per hajdutet dhe vrasesit e sotem kriminele

    Përgjigju
  • Emigrant: 14/08/2022 09:36

    O kaloc hapi dosjen per cfar eshte denuar dhe spiun i kujt sherbimi ka qene ky kasoja Na i bete te gjith spiunat e grekut heronj o kaluc

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Realizohet me sukses teleportimi i parë kuantik, na afron më shumë me të ardhmen!

Realizohet me sukses teleportimi i parë kuantik, na afron më shumë me të ardhmen!