Letra e Nexhmijes për Zef Zorba:Ka
qënë në burg,na njoftoni ç'njeri është

Letra e Nexhmijes për Zef Zorba:Ka<br />qënë në burg,na njoftoni ç'njeri është
Dokumenti që po publikojmë në këtë pjesë të librit është një shkresë zyrtare e vitit 1963, ku Nexhmije Hoxha, në atë kohë Drejtore e Drejtorisë së Arsim Kulturës në aparatin e Komitetit Qëndror të PPSH-së, ia drejton sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit të Shkodrës, Enver Halilit, ku i kërkon të dhëna rreth biografisë së Zef Zorbës.

I cili kishte shkruar libretin e Operas “Teuta”, që asokohe po shkruhej nga kompozitori i ri, Nikolla Zoraqi.

Sipas dokumentit në fjalë, Nexhmija Hoxha kishte të dhëna për Zorbën që ai kishte qenë në burg, por “nuk dinte të dhëna më të hollësishme” për të, se për çfarë ishte dënuar, qëndrimi politik që ai mbante në atë kohë etj etj.

Dhe vërtet, Nexhmije Hoxha “kishte të drejtë”, pasi Zorba, një nga intelektualët më në zë të qytetit të Shkodrës, kishte një biografi disi “të ngatërruar”?! Ai kishte lindur në Kotorr të Malit të Zi në një familje shqiptare, kishte ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave Shoqërore (dega e Studimeve Politike në Padova të Italisë) dhe i kishte ndërprerë ato në vitin 1943 për shkak të luftës e ishte kthyer në vëndlindjen e tij, ku për disa kohë kishte punuar si nëpunës banke.

zorba

Edhe pse me këtë formim, pas mbarimit të Luftës diku nga viti 1946 ai shërbeu si regjizor pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Shkodrës, ku vuri në skenë disa pjesë dramatike si p.sh. “Juda Makabe” e Fishtës, “Armiku i popullit” i Ibsenit etj.

Në atë kohë si shumë intelektualë të tjerë nga qyteti i Shkodrës që kishin studjuar në Perëndim, edhe Zorba arrestohet dhe dënohet me burg politik, nga ku lirohet diku nga viti 1951. Pas daljes nga burgu, sa për pasion aq dhe për mbijetësë, Zorba merret me përkthime duke shqipëruar disa nga poetët e dramaturgët njohur të letërsisë botërore, si R. Frost, Xh. Ungareti, S. Kuazimodo, E. Montale, T.S. Eliot, Shou, Pirandelo, Uelld, Martin, apo filozofë si B. Kroçe, H. Xh. Gadamer etj. Krahas kësaj, ai shkruan edhe vetë librete, siç ishte “Teuta”, mbretëresha e Ilirëve e cila pas mundjes nga romakët, ishte terhequr dhe strehuar pikërisht në Kotorr, në vëndlindjen e Zorbës.

Ndosha kjo ka qenë edhe shtysa nga ku ai kishte marrë spunton për të shkruar për mbretëreshën ilire, libret në të cilin ishte mbështetur kompozitori i ri, Zoraqi, për të shkruar operan “Teuta”?! Por kjo nuk ishte thënë të bëhej, pasi “Zorba” nuk kishte garancitë e duhura politike, gjë që i bëhet e ditur dhe i konfirmohet Drejtorisë së Arsim-Kulturës në Komitetin Qëndror të PPSH-së, nga sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Shkodrës, Enver Halili, dokument të cilin po e publikojmë të plotë më poshtë në këtë shkrim.

zorba
 
*  *  *
Drejtoria e Arsim-Kulturës
Dt. 14.8.63

Nr.1848
KOMITETIT TE PARTISE SE RRETHIT

SHKODËR
Kompozitori i ri Nikolla Zoraqi është në fillim të punës për të kompozuar një opera mbi “Teutën”. Libreten e saj e ka shkruar Zef Zorba banues në Shkodër. Jemi informuar se ky person ka qënë në burg, por nuk dimë hollësira të mëtejshme. Prandaj na njoftoni me shkrim brënda datës 30 Gusht se çfarë njeriu është, për çfarë ka hyrë në burg, si punon dhe si qëndron tani politikisht, sa është i kompromentuar dhe çfarë ka në opinionin publik të Shkodrës.
Gjithashtu na njoftoni mendimin tuaj nëse jeni dakort apo jo mbi libretin e Zef Zorbës të kompozohet opera.
DREJTORE E DREJTORISË TË ARËSIM-KULTURËS
Nexhmije Hoxha

zorba
 
*  *  *
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI PARTISË RRETHIT
SHKODËR
Nr. 755
LËNDA: Mbi Zef Zorbën
KOMITETIT QËNDROR TË P.P.SHQIPËRISË
“Drejtorisë arësim-kulturës”
TIRANË

Lidhur me tuajën Nr. 1848 datë 14/8/1963

Zef Zorba ka mbaruar shkollën e françeskanëve në Shkodër. Ka qënë nënpunës pranë legatës italiane në Shkodër, në kohën kur ishte Meloni, një spiun i regjur italian. Mbas Lirimit Zefi është dënuar me 5 vjet burg për veprimtari armiqësore kundër Pushtetit Popullor. Sot mban qëndrim të keq. Punon si shef llogarie në Nil Prodhime të Ndryshme duke qënë nën kontroll të vazhdueshëm. Zefi nuk ka ndonjë kredi morale në opinionin publik të Shkodrës, pse dhe nga ato (me përjashtim të miqve të tij) njifet si element i keq politikisht. Mendimi i jonë është që mbi libretin e këtij personi, pavarësisht nga përmbajtja dhe forma e tij, të mos kompozohet opera.

1.KOMITETIN E PARTISË RRETHIT
Sekretari
(Enver Halili)

zorba

Libri i Kaloçit “Shkrimtarët dhe artistët…” publikon dokumentin me porosinë e Nexhmije Hoxhës për biografinë e kompozitorit Zef Zorba nga Shkodra, i cili do shkruanate libretin e Operas ‘Teuta”. Si dhe përgjigjia negative e Enver Halilit, për Zorbën, i cili “kishte qenë në burg politik dhe nuk kishte kredi morale në popullin e Shkodrës…”?!

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Veliaj: Shpërblime për fundvit për 4360 mijë punonjës të shërbimeve mbështetëse

Veliaj: Shpërblime për fundvit për 4360 mijë punonjës të shërbimeve mbështetëse