Letra e panjohur/ Si e vëzhgonte
Ismail Qemalin policia e Sulltanit

Letra e panjohur/ Si e vëzhgonte<br />Ismail Qemalin policia e Sulltanit
TIRANE- Eqrem bej Vlora, ishte një vëzhgues i kujdesshëm. Kujtimet e tij janë plot detaje, fakte të rëndësishme e të tjera të dorës së dytë, nga ku mund të vjelësh informacione pafund për kohën kur ai shkruan. Ndërsa një pjesë e madhe e publikut shqiptar njeh kujtimet e tij, në letërkëmbimet e Mustafa Krujës, gjendet një letër mjaft interesante e datës 2 maj 1955, ku Eqrem bej Vlora atëkohë në Romë i shkruan Krujës për një varg pyetjesh që ky i fundit i ka drejtuar në një letër të mëparshme.

Çështjet që i interesojnë Krujës janë ngjarjet në prag të Pavarësisë, angazhimi i Eqrem Vlorës, të babait të tij Syrja Vlora dhe i Ismail Qemalit për shpalljen e Shqipërisë së Pavarur. Pasi i jep hollësi e detaje të panjohura rreth këtyre ngjarjeve e personazheve të lidhura me to, Eqrem Vlora i përgjigjet Krujës edhe për një pyetje rreth Ismail Qemalit, duke i rrëfyer rrënjët familjare dhe lidhjet fisnore mes tyre, fëmijërinë e Ismail Qemalit, shkollimin dhe karrierën në Stamboll, ku u shoqërua një jetë të tërë mes dyshimesh dhe nën vëzhgimin e rreptë të policisë sekrete. 
Letrën e plotë që po e sjellim këtu për lexuesit tanë, e kemi shkëputur nga vëllimi i tretë i “Kuvend letrash me miqtë” (letërkëmbimi i Mustafa Krujës me personalitete të kohës), vëllimi, i cili sapo është botuar nga shtëpia botuese “OMSCA”.

Letra
Romë, më 2 maj 1955
Fort i nderuëshmi mik.
Letra e juaj, më datë 26.IV.1955, që mërriti dje, jo vetëm nuk më mërziti – si kundër se druanit ju – por më gëzoj pa masë, për dy arsye: 1) sepse ish letra e një mikut shum të çmuarë; 2) sepse kjo, më detyroj të largohem nga shëmtimet e kohës sotme e më shpuri në kujtimet e një kohës kaluarë, në të cilën kemi patur ende entuzjazëm, besim edhe shpresë. Ngjarjet e asaj kohës më janë dalltuarë thellsisht në mëndjen e në shpirtin t’im, dhe nuk kam harruarë as një hollsië. Kanë qënë çaste e rrethana në të cilat ç’do njëri nga neve, ka bërë, pak a shum, detyrën e vet kundrejt atdheut edhe bashkatdhetarvet, – ka vënë një gur të vogël – për të ngrehur at’godinën e përbashkët, që na u shëmb sot. Mallëngjimi edhe dëshprimi, më shtynë pra, të merrem shum herë me shënimin e datavet dhe të ngjarjevet më një librezë të vogël, që ndonjë ditë, mund të interesoj ata që nuk shohin botën e sotme shqiptare edhe atë të kohnave të kaluara vetëm ndërmjet tejqyrjes tyre të mangët ose të shtrëmbëruarë, por në dritën e së vërtetës.
     Nga kjo libreza e kujtimevet do marrë ato fletët që ju interesojn, edhe do ju përgjegjem; me vërtetshmërië e me ndërgjegje.
 
     I – Udhtimi  im për në Vjenë edhe rrethanat që e shkaktuanë:
     Jam nisur nga Vlora me vaporin austriak më 7 tetor 1912. Jemi takuarë bashk në këtë vapor më 8 tetor 1912 ora më 10 a.l.fr. në mëngjes. Ju ishit ngarkuar nga Abdi bej Toptani të bisedonit me mua mbi udhtimin që po bëja e mbi misjonin që duhej të plotsoja në Vjenë. Me këtë misjon nuk më kish ngarkuarë vetëm im at; por edhe mbledhja e parisë Vlorës (ndonse vetëm ajo pjesë që ish antare (mike) e babës t’im) me anë të Kushullës austriake Z. Lejhaner ish vënë në dijeni edhe të misjonit t’im,  ish lajmruar Vjena për ardhjen t’ime. Në Vjenë pash më para Kryekushullën Z. Rappaport. Mbas ati kryetarin e Seksjonit Ballkanik Kont Hojashin, dhe më së fundi ministrin Berchtold. Të gjith këtyre ju çfaqa frikën që na kish kapur (neve), se në përfundim të luftës Ballkanike, Perandoria osmanllije do çdukej nga Ballkanet edhe Shqipria do mbetesh në dorë të fituësave të luftës ballkanike.

Nga bisedimet pata pêrshtypjen që qarqet dipllomatike të Vjenës ishin të bindur, që nga kjo luftë do dilte fituese Perandoria osmanllije. Më dhanë premtime (edhe të sinqerta) se në përfundim të luftës Austria do ngulte këmb që të krijohesh një vilajet autonom shqiptar; të lihesh e lirë gjuha shqipe për mbësimet fillore edhe mesatore në Shqipëri; të emnoheshin në Shqiprië nënpunsa shqiptar; tê shërbente ushtria shqiptare (në kohê paqe) në Shqiprië etj.etj.

     E pash që gjindesham ende para asaj mêndësisë që kish drejtuarë deri athere veprimtarinë politike të Ballkansplatz-it. Kërkova pra një tjatër rrugë veprimi.
Që prej kohe kishja dy miq: nënsegretarin e Shtetit në Ministrinë e Punravet ekonomike z. Von Riedel, edhe adjutantin e nalt. T. Arshidukut Franc Ferdinandin, Xheneralin Baron von Bollfras. Të dy i takova; shpjegova (me sa munda) nevojën e nji veprimtarisë të ngutshme edhe ju kërkova përkrahje. Vendosën të më paraqisnin tek Xhenerali, Kont Kourad von Hötzendorff, qe ish athere Kryetar i Shtat Madhnorisë. Xheneral Hötzendorffi më priti. I shpjegova: qêllimin e ardhjes t’ime, frikën, shkaqet, situatën, mundësitë që paraqiteshin. Të gjitha i aprovoj. Por në disa edhe tejkaloj shpresat edhe kërkesat e mia. Xhenerali ish ushtar; doemos nuk parashifte mundësitë ose ndalesat politike. Me vrullin e entuziazmit tij, më premtoi me një herë, një misjon ushtarak prej 30 oficera edhe 25 mij pushk me fishekët e nevojshëm.

Veçanrisht më dha fjalë që do më paraqiste te arshíduku Franc Ferdinandi. Në fakt më të nesmen (18 tetor 1912) shkuamë për çaj në Belvedere. Këtu gjeta dyerët krejt të çelura për çdo kërkesë. Më këshilluanë të këthehem menjëherë në Vlorë; të mbledhim nji kuvênd (sa më të gjërê që të jet e mundur) dhe të çpallim (jo pamvarsinë nga perandoria osmanllije, por) autonominë e Shqiprisë, me flamur e me qeverri’ë të veçant. Më porositën që të bêjm, ç’ësht e mundur që në Janinë ushtría të vazhdoj mbrojtjen kundra grekvet dhe në Shkodër kundra malazezvet. Më lutën të mos i japim lëvizjes nji pamje antityrke, të evitojm çdo përpjekje me ushtrinë perandorake, për mos t’i dhënë punës fytyrën e një kryengritjes ose nji lidhjes me shtetet ballkanike. Dy ditë më vonë (20 tetor) më thirrën në Ministrinë e Punve Jashtme, ndërkohë zhvillimi i ngjarjevet kish shpejtuarë edhe pjekur vendimet e dipllomacisë austriake. Më thanë, që nuk ish më nevoj të çpallej autonomia e Shqiprisë por pamvarsia.

Dipllomacija austriake do ta përkrahte, (edhe, nëse kish nevoj, me anê të ushtrisë saja) krijimin e një Shqiprisë të lirë. Përsa i përkiste kufive nuk mund të premtonin gjë: do përpiqeshin të shpëtonin nga dora e Sllavëve Prizrenin, Gjakovën, Pejën (Metohinë), Dibrën, Ohrinë, Korçën edhe Çamrinë. Nuk kishin shpresa për shpëtimin e Prishtinës, të Gjejlanit, të Shkupit, të Manastirit e të Janinës. Premtuanë veçanrisht çdo përkrahje që ish e mundshme në rrethanat që gjindeshim. U këtheva menjëherë në Vlorë, kurse mërrita më 23 tetor 1912. Babën nuk e gjeta në Vlorë, kish shkuarë në Shkodër.

Ndërsa unë ishja në Vjenë, baba kish mbledhur parinë e Vlorës, ju kish shpjeguar situatën e dëshpruëme të ushtrisë osmanllije në gjith sektorët e Ballkanit, bindjen e tij të plot që shtetet ballkanik do dilnin fituës nga kjo përleshje, edhe nevojën për Shqiptarët të bënin =diç’ka= për shpëtimin e vet. Nuk gjeti as më të paktin kuptim. Disa, (por ish një pakicë) e pranuanë të bashkpunojn për mbledhjen e një kuvendit. Shumica (e nxitur nga dy kundërshtar mjaft të fort – Elmas efendi Kanina edhe Adem Bej Risilia) filloj nga çpifjet. Na akuzuanë se paskemi qënë shitur austrjakvet!!, që paskemi patur qëllimin të krijojm = për vehte!? = një principatë nën mbrojen e Austrisë, etj, etj budallallëke.

Me gjith këtë, baba vendosi ti çoj letra disa miqve e ti dërgoj me anë të njerzve të besuarë. Grupi kundërshtar kish ndër kohë lajmruarë autoritetet në Vlorë e në Janinë mbi ç’po pregaditesh në Vlorë. Esad Pasha dhe Vehip Pasha (kumandant të ushtrisë në Janinë) i kishim miq; ishin njerz të arsyëshêm, nuk muarën masa kundërejt babës, por e lajmruanë, që ishin të shtrënguarë = t’i merrnin = po qe se vazhdonte në përpjekjet e tij. I dëshpëruar nga situata, baba shkoj në Shkodër: me qëllim që: të bindi Esad Pash Toptanin të çpalli në Shkodër at vetqeverrimin Shqiptar që aji vet nuk mundi ta çpallte në Vlorë.

Me nji qind mundime dhe rrezike mërriti në Shkodër. Bisedoj çeshtjen me Esad Pashën; por e bisedoj edhe haptazi me Hasan Riza Pashën. Çudia ësht që ndërsa te Esad Pasha takoj më një far soj dyshim e druajtje, gjeti te Hasan Riza Pasha dyerët krejt tê çelta. Ky e pranoj pa tjatêr mendimin; por zbatimin ja nênshtroj disa konditavet. a) Kurse ushtrit perandorake të mundeshin në gjith sektorët ballkanik; b) ndërkohë të ndaheshin (me anë të propagandës që duhej të bënte Esad Pasha) malsorët katolik nga malazezët; c) Shkodra duhesh të rrethohesh nga gjithanët, e të dukej si e izolluarë. Athere premtonte të lejonte, e të bashkpunonte në çpalljen e vetqeverrimit shqiptar e të ngrehte flamurin e kombit pranë flamurit tyrk. Një kumandant Tyrk nuk mund të bënte më tepër.
Mjerisht këta bisedime venin -  rregullisht -  në vesh të kumandës malazeze që ish në Tarabosh. Baba e pa që edhe këtu nuk kish shum shpresa pêr realizimin e pllanit tij. I dëshpruarë dolli nga Shkodra dhe mezi mërriti në Shín Gjíní, kurse hipi më një vapor lufte austriak qe e shpurí në Kotor. Andej shkoj në Vjenë.

Qindrimi i tij në Shkodër ish zgjatur mjaft; e tue qenë që dukesh se nuk do kish një përfundim të mbarë  Ministria e P. Jashtme vendosi të ftoj Ismail Kemal benë (që gjindesh më at’kohë në Bukuresht) e ta ngarkonte me zbatimin e pllanit të lartpërmëndur.  Ismail beu, mblodhi shpejt e shpejt, disa bashkpunëtor nga kolonía shqiptare (Dhimitri Berati, Pandeli Çali etj.) telegrafoj disa të tjerve të bashkoheshín me të në Vjenë (Luixh Gurakuqi etj.) edhe shkoj në kryeqytetin e Austrisë dhe këtej në Trijesht, ku mori vaporin. (Lloyd – që bënte udhtimin e rregullt për në Stamboll) që kish mar urdhêr të qëndronte jashtzakonisht në Durrës, që të shkarkonte të lartpërmêndurít. Më at’kohë ish zëvêndësmytesarif, edhe pak a shum arbitr’i situatës, në Durrës Hamid bej Toptani.
 
 
II - Këthehemi tash në pyetjen e dytë që më bëni:
     1 – Letrën që përmêndni, e prura unë. Ja kish shkruarë baba Abdi beut; (ish turqisht) ja u dhash juve në vapor. Letra shpjegonte gjat e gjërë situatën, qëllimin e udhtimit t’im, edhe këshillonte që edhe në rrethin e Durrsit të pregaditej diçka në favor të lëvízjes. Ka qênë pikrisht gjindja e Hamid beut në Durrës, një nga pasojet e asaj pregaditjes.
     2 - Ismail  beu mêrriti nê Durrës në mbramjen e ditës 24 nëndor 1912 (ora 4), më 25 në mëngjes u nis.
     3 - Besoj  se mbas kësaja, itinerarin qe ndoqi e dini. Një natë fjeti në Çerm (te Dervish bej Biçakxhiu); një natë në Fjerë (te Omer Pasha) dhe në Vlorë mërriti mbas dreke = 27 nënd.1912 =
     4 - Unë më at’kohë nuk kam qenë në Vlorë. Kam qenë në Kuç; sepse që prej një muaj, kumanda e përgjithshme në Janinë më kish ngarkuarë të mbroja kufinë e Vlorës kundër ndonjë sulmit të grekvet qe kishin debarkuarë në Himarë.
    
 
III – Tash në faqet qe vijojnë do ju përshkroj curiculum vitae-n e Ismail beut:
 
     Ismail Kemal (më para Hakki) bej Vlora ka lindur në Vlorë, në shtëpinë e familjes t’onë (pjesa e Haremit) më 18 prill 1844. Ësht i biri i Mahmut beut dhe i nipi i Ismail beut, – i Ahmed beut. Në personin e Ahmet beut lidhet dega jonë me degën e tij.
 

skica
(Ne foto: Pema gjeonologjike e familjes Vlora hartuar nga Eqrem Bej Vlora)
 
Kur ka qënë 4 vjeç, më 1848 familja e jonë u internua: (burrat: Mahmut beu, Muhamet beu, Selim Pasha, Mustafa Pasha në Konjë) – (grat: në Selanik). Gjith pasuria u sequestrua. Këto ngjarjet kanë qenë pasojët e kryengritjes qe bënë kundra Tenzimatit. (Epopea e Gjon Lekës – Rrapo Hekalit etj.) Kur, më 1852 u liruanë, Ismail beu nuk qëndroj në Vlorë, shkoj përanë ungjit tij Mustafa Pashë Vlorës në Janinë dhe hyri në shkollën – Zosimea – më 1855 – Mustafa Pasha ish më at kohë – Myhimme Kalemi – Mydiri - përanë  të kushririt (Ismail Pash Tepelenës) që ish bërë ndërkohë Valí.

Edhe i ati, Mahmut beu nuk qindroj dot në Vlorë. Për të përballuarë shpenzimet (Ylefet) e vullnetarvet që mblodhi (ngjarja e Grivës 1854) (me urdhër të qeverisë, që nuk e pagoj) u detyrua të shesi pasurinë e fundit që i kish mbetur, ( çifliqet: Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj, Picar) edhe shkoj në Stamboll (për të siguruarë këthimin e të hollavet që kish për të marrë). Nuk bëri dot gjë. Shkoj në Athinë. Atje gjeti mbrojtjen e Mbretit edhe qindroj gati dy vjet. Vdiq në Stamboll më 1866. – Ismail beu ndërkohë mbaroj mbësimet në Zosimea, edhe shkoj me të ungjin Mustafa Pashën në Rusçuk (Bullgarië) kurse Mustafa Pasha ish emruarë Mytesarrif. Ky ja paraqiti më at’kohë (1867) Komisarit naltë për reformat në Bullgarië Midhat Pashës.

Kur u bë Midhat Pasha Sadrazam, e mori me vehte Ismail ben në Stamboll si segretar privat. Por kur ra Midhat Pasha dhe u burgos në Taif, kjo ngjarja bëri një përshtypje shum dëmprurse për karjerin e tij. Me gjith këtë, se pse ish shum i çmuarë nga qarqet qeverritare, u emnua pas pak kohë Mytesarrif në Afjon Karahisar (Anadoll). Këtu qindroj mjaft kohë edhe tregoj zotsië e shpirt përparimtar. U bë mytesarrif i Kllasit I në Magnisë, në Izmid dhe më së fundi Vali në Kastamoní e në Bejrut. Kudo që shkoj fitoj mirëdashjen e të krishtervet dhe të pjesës përparimtare të popullit. Por në Stamboll (në qarqet e Pallatit) rëndonte mbi të mosbesimi edhe dyshimi, që rridhnin sigurisht nga kujtimi i marrdhënjevet tija të ngushta me Midhat Pashën.

     Mbasi u pushua nga valillëku i Bejrutit u emnua “Shuraj-devlet Azasi” në degën e Tanzimatit. Në Stamboll qeveria dhe pallati vëzhgonin çdo sjelljen e tij. Ish vazhdimisht nën vërejtjen e policisë të fshehët. Më së fundi vëndosën ta dërgojnë Vali në Trabullus (Libië). Nuk ësht e vërtet që ky largimi fshihte qëllimin, që ta vrisnin në udhtim e sipër. Sikurse Abdul Hamiti të kish patur këtë dëshirë mund, shum më mirë, ta vinte në zbatim në Stamboll.
     Por, Ismail beu u trëmb, se disa miq ja shtinë këtë dyshimin. Me anë të ambasadës Britanike siguroj mjetin dhe u arratis. Shkoj në Greqië, në Misir, në Llondër dhe më së fundi u vendos në Bryksel.

     Kudo që vajti, u prit me nderime dhe u përkrah. Ismal beu ish athere i njohur (në qarqet tyrke dhe në ato të huaj) si një antar i parimevet liberale edhe i rivendimit të kushtitutës në perandorinë osmanllije. Me lëvizjen kombtare shqiptare është marë për herën e parë rreth vitit 1905/6, kur erdhi në Korfuz dhe u takua me disa nga paria e Vlorës dhe e Delvinës. Më 1908/9 me rastin e kryengritjes të malsorvet (7 bajraket) shkojn në Cetinjë. Nga ajo koha datonë edhe nji far soj marveshje që bëri (gojarisht) me mbretin e Malit Zi. Bashkim’i Shqiprisë me Malin e Zi në personin Kral Nikollës; dy qeverië të veçanta; një ushtrië e përbashkët; arsim’i veçant; dy gjuha zyrtare etj.

Po një bisedë të tillë ka patur me kryeministri grek Trikupin më 1896. Përgjithsisht, Ismail beu ka gëzuarë (edhe si trashgim nga i ati) një simpathië të veçant e një përkrahje në Greqië. Por – Jeune Tyrqit – nuk e kishin mik. Që më 1903 u prishën në Paris (gjat kongresit që u bë) sepse, ndërsa Jeune Tyrqit u çfaqën për parimin e “Osmanllillëkut”, Ismail beu çfari mendime decentraliste në mbështetje të parimevet kombtar.
Filloj pra më 1908, kur u vendosën Jeune Tyrqit (Ittihad ve terekki Xhemijeti) lufta kundra Ismail beut që përfundoj në nëndorin e vitit 1912 me fitorinë e mendimit të Ismail beut. Ndofta pa këtë Ismail beu do kish qënë i detyruarë prap të merrte rrugën e arratisë.
Nuk e di, nëse jeni në dijenië të veprimtarisë tij në gjirin e parllamentit në Stamboll, në Vlorë 1912/14; në Evropë, mbas plasjes të luftës parë botnore? Por kujtoj se po; prandaj nuk desha të zgjatem më. Me gjithë këtë nëse keni ndonjë nevoj për hollsina të tjera, më shkroni, më bëni një tjatër radhor pyetjesh – do ju përgjegjem me shum gëzim.
     Pranoni, sa për tash i dashuri mik, nderimet e mij edhe sigurimin e ndjenjat mija shum miqsore.
I Juaji
Ekrem  Vlora                                              

Shkrimi u publikua sot (15.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot

Diell dhe temperatura deri në 15 gradë, parashikimi i motit për sot