Letra/ Meta grupeve: Të ngrihet 
komision për reformën zgjedhore

Letra/ Meta grupeve: Të ngrihet <br />komision për reformën zgjedhore
TIRANE- Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta përmes një letre drejtuar krerëve të grupeve parlamentare, kërkon ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për të filluar procesin e reformës zgjedhore.

Meta në letrën e tij i referohet rekomandimeve të OSBE-ODIR për zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe ato vendoret e 2015.

“Shqipëria, si një vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duhet të përqasë legjislacionin e saj zgjedhor me standardet ndërkombëtare më të mira në këtë fushë, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente me të gjithë aktorët politik dhe institucionet shtetërore të përfshira apo me detyra të caktuara, në procesin zgjedhor. Bazuar në rekomandimet e raporteve përfundimtare të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 2013 dhe zgjedhjet vendore të vitit 2015, si dhe të praktikës më të mirë parlamentare, në përgatitjen e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, do të kërkoja nga ju shprehjen e vullnetit për fillimin e këtij procesi në Kuvendin e Shqipërisë," shkruan Meta.

Kreu i Kuvendit u kërkon krerëve të grupeve parlamentare që në përfundim të konsultimeve ndërmjet grupeve, të dërgojnë në Kuvend kërkesën me projektvendimin për formalizimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar në të cilin do të përcaktohet objektivi, mënyra e ushtrimit të këtij komisioni dhe raportet e përfaqësimit në të.

“Në përfundim, vlerësoj se një proces i kryer në kohë është garanci më shumë për përgatitjen dhe realizimin e zgjedhjeve sipas standardeve ndërkombëtare dhe në përputhje me rekomandimet e raporteve të OSBE-ODIR për zgjedhjet në Shqipëri,” përfundon Meta letrën e tij drejtuar krerëve të komisioneve parlamentare të PS,PD, LSI, PDIU, PR e PBDNJ.

letra e metes me logo
letra e metes me logo

Çfarë ndryshimesh kërkon LSI në Kodin Zgjedhor?
Nuk dihet se çfarë propozon LSI-për ndryshimet e Kodit Zgjedhor, por gjithnjë ajo është shprehur se ndryshimet në këtë ligj nuk duhen bërë në limitet parazgjedhore të afateve. Menjëherë pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e këtij viti, LSI nxori në një një konferencë për shtyp Petrit Vasilin dhe Luan Ramën.

Ata thanë se duhen reflektuar rekomandimet e vëzhguesve ndërkombëtarë, dhe në këtë drejtim, nuk mund të humbej kohë. “Është shumë e rëndësishme të reflektohen menjëherë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të përmirësuar cilësinë e procesit zgjedhor e para, dhe e dyta duhet të heqim dorë nga praktika shqiptare e reflektimit apo e ndërhyrjeve në momentin e fundit. Sepse veprimi në kushte emergjence dhe shmangia nga thelbi i këtyre rekomandimeve nuk do të bëjë gjë tjetër, vetëm, sa do të prodhojë të njëjtat probleme. LSI-ja është e vendosur, që nesër të ofrojë kontributin e vet, të punojë pa asnjë rezervë për të realizuar dhe për të reflektuar të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet e OSBE/ODIHR-it”-tha Luan Rama në 14 tetor.

“Asnjë nismë e njëanshme nuk i shërben askujt. Kemi propozuar që tavolina e përbashkët, grupi i përbashkët i punës të jetë ai që të provojë të gjitha opsionet për të gjitha problematikat e adresuara atje, ku secila më vete dhe të gjitha së bashku komprometojnë besueshmërinë e procesit zgjedhor. Të gjitha kompromiset e arritura në momentet e fundit, kanë bërë as më shumë e as më pak se sa kanë thyer procedurat zgjedhore të miratuara. Bërja në kohë nuk do të thotë se jemi në kohë.

Unë mendoj se ne jemi vonë në kohë”-tha Vasili. Debatin për ndryshime zgjedhore e hapi ish-kryeministri Berisha, i cili tha në një intervistë televizive se Rama i kishte dërguar njerëz për të kërkuar një sistem zgjedhor me prim.

Në përgjigje të kësaj deklarate, kryeministri i vendit nuk e pranoi të kishte bërë një propozim të tillë, por tha se çdo ndryshim i kësaj rëndësie do të bëhej në bashkëpunim me aleatët. Vetë LSI ku u pyet për këtë çështje u shpreh kundër sistemit zgjedhor me prim. Kreu i opozitës, Lulzim Basha bëri po ashtu propozimet e tij për reformën zgjedhore. Ai propozoi reduktimin e numrit të deputetëve, si dhe krijimin e parlamentit me dy dhoma, duke kërkuar krijimin e senatit. “Ne mekanizmat e kontrollit, propozoj krijimin e dhomës së dyte të senatit, të zgjedhur nga populli.

Senati duhet jetë i drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe merr përsipër atë që i është besuar Gjykatës Kushtetuese. Si edhe të ulim numrin e parlamentarëve, me kusht që të mos jetë kozmetikë",-tha Basha. Edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, tha se nuk mund të pranohet një sistem zgjedhor me prim, pasi në këtë mënyrë do tu faleshin mandate dy partive të mëdha. Sistemi zgjedhor me prim, konsiston në një formulë e cila i jep automatikisht partisë me numrin më të madh të votave një numër të caktuar deputetësh ekstra.

Ky numër që mund të jetë 20 apo 50 deputetë, apo një numër x është i parashikuar në Kodin Zgjedhor. Pjesa tjetër e numrit të përgjithshëm të deputetëve shpërndahet sipas përqindjes së votave që ka marrë secila parti.    

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025