Letrat e panjohura të Jakomonit
për Shqipërinë drejt Kontit Ciano

Letrat e panjohura të Jakomonit <br />për Shqipërinë drejt Kontit Ciano
TIRANE - Marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve të larta italiane të pushtimit dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas janë një temë e rrokur disi në mënyrë periferike nga historiografia shqiptare. Mos njohja e dokumenteve italiane dhe dokumentacioni i fragmentarizuar shqiptar, ka bërë që ky aspekt i historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri të ketë zënë pak vend në punimet akademike dhe, si pasojë, të jetë pak i njohur për opinionin.

Në kuadër të projektit të QSA, Historia e shqiptarëve gjatë shek. XX, pata rastin të vizitoj disa herë Arkivin Historik dhe Diplomatik të Ministrisë së Jashtme të Italisë. Gjatë këtyre vizitave u njoha edhe me fondin Gabinetto Albania 1938-1945 (Kabineti Shqiptar). Ky është njëri nga fondet (por jo i vetmi) që përmbledh dokumente të Nënsekretariatit të Shtetit për Shqipërinë.

Në të gjenden, midis të tjerave, korrespondenca të drejtuesve më të lartë italianë në Romë me autoritetet italiane të pushtimit në Shqipëri. Në tërësinë e tyre, këto dokumente japin jo vetëm të dhëna të reja dhe të panjohura më parë nga historiografia shqiptare, por krijojnë mundësi të shohësh edhe ngjarje të njohura nga një këndvështrim i ri, nga ai drejtuesve më të lartë të administratës së pushtimit.

Në morinë e madhe të dokumenteve, më tërhoqi vëmendjen, veçanërisht, një fashikull voluminoz, i titulluar Rapporti di Luogotenente Generale (raporte të Mëkëmbësit të Përgjithshëm), i cili gjendet në dosjen 107 të këtij fondi. Korrespondenca e Mëkëmbësit të Përgjithshëm të Perandorit të Italisë në Shqipëri, Francesco Jacomoni, prek një periudhë gati 5 vjeçare (prill 1939-mars 1943), por unë do të dëshiroja të bëja të njohura disa raporte që i takojnë periudhës dhjetor 1941-gusht 1942, pasi kjo është periudhë ndryshimesh si në qeverisje (largimi i Shefqet Vërlacit dhe emërimi i Mustafa Krujës në krye të qeverisë), ashtu edhe në rezistencën shqiptare (themelimi i PKSH).

Francesco Jacomoni shfaqet jo vetëm si njohës i mirë i politikave rajonale dhe i shpirtit të pjesës më të madhe të shqiptarëve, por edhe si politikan i zhdërvjellët, i cili di të manipulojë mjaft mirë me rrethanat, të japë diçka, për të marrë më shumë. Zbatues konsekuent i politikës italiane ndaj Shqipërisë; i bindur në vlerën që kishte bashkimi i Shqipërisë me Italinë, për këtë të fundit; mbështetës i zjarrtë i senatorit dhe më pas kryeministrit Mustafa Kruja, Jacomoni nuk kërkonte gjë tjetër, përveçse të gjente rrugë dhe mjete për të ruajtur pozicionin e shtetit që përfaqësonte.

Raportet e tij hedhin dritë mbi shkaqet që e bënë të nevojshme për pushtuesit italianë ndryshimet në qeverisjen e vendit. Shqipëria në vitin 1941 kishte ndryshuar shumë nga ajo e vitit 1939. Pushtimi i Ballkanit nga ushtritë e Boshtit, përfundimi i Luftës Italo-Greke me fitoren e ushtrive italiane i dha mundësi këtyre të fundit të mburreshin se kishin realizuar ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e pjesës më të madhe të territoreve etnike në një shtet, gjë që rriti shpresat e politikanëve italianë për një mbështetje më të madhe të tyre nga popullsia shqiptare.

Por, opinioni publik shqiptar kishte sërish mjaft dilema dhe probleme me të cilat pushtuesit italianë duhet të përballeshin. “Dalja e shteteve të reja, si Kroacia, Mali i Zi dhe ndoshta Greqia të lidhur me Italinë me lidhje që në një farë mënyre mund të quhen federative, – i shkruan Jacomoni, kontit Ciano më 27 maj 1941, – i çon këto ambiente më të zhvilluara [elitat politike dhe intelektuale shqiptare] të ekzaminojnë me një farë pasioni, problemin e pozicionit juridik të Shqipërisë”.

Përballë statusit juridik të këtyre shteteve të Ballkanit, Jacomoni vendos atë të Shqipërisë. “Vota e Asamblesë Kushtetuese dhe Statuti i japin Shqipërisë, – sqaron ai, – pamjen e një shteti të pavarur të lidhur me Italinë nga lidhjet e bashkimit personal. Marrëveshjet e mëvonshme për shkrirjen e diplomacisë, ushtrisë dhe të shërbimeve doganore e kanë zgjeruar konceptit e bashkimit personal në atë të bashkimit real. Nga ana tjetër masat e tjera, si themelimi në Shqipëri i zyrave shtetërore të varura nga dikasteret italiane nuk kanë baza juridike”.

Sikur të mos mjaftonte suprimimi tërësor i pavarësisë, shqiptarët duhet të përballeshin edhe me sjelljet prej kolonizatorësh të italianëve, gjë që kishte shtuar tensionet në Shqipëri. Jacomoni analizon në raportet e tij, se në sytë e një shumice italianësh, popujt e Ballkanit, të cilët i rezistuan pushtimit, kishin fituar një simpati më të madhe në krahasim me shqiptarët që u nënshtruan pa shumë kundërshtime. Për Mëkëmbësin, një qeveri më nacionaliste do të ishte ilaçi i duhur që do t’i qetësonte gjakrat.

Jacomoni mendonte se qeveria Vërlaci e kishte plotësuar detyrën e saj. “Isha unë, - i shkruan ai Cianos në të njëjtin raport, - që i propozova Shkëlqesisë Suaj emërimin e qeverisë së tanishme [asaj të Vërlacit] dhe jam akoma i mendimit që ajo ka përfaqësuar më të mirën e mundshme, si ndikim personal, ashtu dhe devocion ndaj regjimit. Megjithatë, ajo është e mangët në kompetencat teknike. ... Sot, përveçse teknikisht e dobët qeveria, po minohet nga lufta që [Ernest] Koliqi dhe [Tefik] Mborja po bëjnë kundër Vërlacit, si eksponent i bejlerëve, por edhe me akuzën për nënshtrim të skajshëm ndaj italianëve”.

Ndryshimi i qeverisë i projektuar nga Jacomoni, me shumë kujdes, që prej 6 muajsh, u realizua më 4 dhjetor 1941. Raportet e F. Jacomonit na japin një tablo të gjallë mbi situatën në Shqipëri; planet italiane ndaj saj, pritshmëritë italiane ndaj Mustafa Krujës, problemet dhe arsyet e dështimeve të qeverisjes Kruja.
Vendosja e Mustafa Krujës në krye të qeverisë ishte një zgjedhje personale e Jacomonit dhe duket se ai kishte shumë shpresa te personalitetit i tij.

Në promemorien drejtuar ministrit të Jashtëm, kontit Ciano më 30 dhjetor 1941, pra vetëm tre javë pasi M. Kruja ishte vendosur në krye të qeverisë, Mëkëmbësi i Përgjithshëm duket shumë optimist për një përmirësim të situatës në Shqipëri. Ai i njofton Cianos se emërimi i Krujës ishte pritur mirë nga opinioni publik, i cili, “veçanërisht në muajt që pasuan fushatën e Shqipërisë [pas Luftës Italo-Greke], e kritikonte Vërlacin për një tendencë shumë të dukshme për të favorizuar qarqet e tij klienteliste dhe bejlerët në dëm të popullit”.

Sipas Jacomonit, elementët që përbënin qeverinë Kruja i jepnin atij besim “që, pa luftuar në asnjë mënyrë ambientin e bejlerëve, do të mund të kryejnë, me një vendosmëri edhe më të madhe, një veprimtari që i përshtatet më mirë nevojave të masave dhe e intonuar më mirë me direktivat e Duçes dhe misionit të Fashizmit”.

Dy ishin detyrat themelore që Jacomoni priste të realizonte qeveria Kruja: përmirësimi i situatës ekonomike dhe sigurimi i rendit publik, të dyja kishin njohur një përkeqësim të dukshëm pas përfundimit të Luftës Italo-Greke.

Sa i takon problemeve ekonomike, raportet flasin për një situatë mjaft të vështirë. Në të gjithë korrespondencën e tij, Jacomoni shprehet i shqetësuar për mungesat e mëdha të mallrave. “Për çështjen e konsumit, - shkruan ai në raportin e 3 dhjetori 1941, - shumë artikuj mungojnë, por mund të mbështetesh, brenda disa mundësive në përkoren ekstreme të shqiptarëve. Për këtë arsye nuk e gjykoj oportune vendosjen e triskave.

Të vendosësh triska mbi ushqimet në bazë të modelit italian (dhe do të ishte jopolitike ta bëje në baza më të ulëta), do të thoshte të shtoje konsumin. Triskëtimi do të ishte nga ana tjetër ekstremisht i vështirë për t’u vënë në jetë për shkak të mungesës së regjistrimeve të sigurta, për shtimin e shumtë të popullsisë dhe për mungesën e gjetjes së rrugëve”. Zgjidhjen e këtij problemi, hierarku italian e kërkon në kontrollin e kontrabandës dhe nxitjen e importeve, të dyja këto detyra që duhet t’i plotësonte qeveria.

Qetësia dhe rendi publik ishte realisht thembra e Akilit e qeverisë së re. Shqiptarët kishin filluar t’i sillnin shumë shqetësime autoriteteve italiane. “Pamja nuk ka ndryshuar në mënyrë thelbësore, - i shkruan Jacomoni, eprorit të tij, - edhe pse ndonjë re është zhdukur, apo është zbehur ndërkohë. Nëse Kuvendi gjermano-serbo-shqiptar i Nishit, duke i dhënë fund iluzioneve të autonomistëve të Mitrovicës, ka eliminuar një pretekst për agjitacion.

Nëse ambientet studentore nuk kanë dhënë shenja të shqetësimeve, pas incidenteve të njohura [kupto: demonstratave] të Tiranës dhe Korçës, në drejtim të kufijve lindorë, propaganda e komitetit maqedon, veçanërisht në rajonet e liqeneve dhe mbi të gjitha aktiviteti i të arratisurve: zogistëve dhe kundërzogistëve, të gjithë të shitur ndaj Jugosllavisë, që kanë pikën e mbështetjes dhe bazat e tyre në rajonet përtej kufirit, të mbushura me bandat e rebelëve serbë, vazhdon me intensitet. Veprimtaria e tyre, e drejtuar nga dy kolonelë anglezë, [Okley] Hill dhe [majori] Cripps, që kanë qenë organizatorët e xhandarmërisë shqiptare, ka një qëllim të dyfishtë:
a. Duke u mbështetur në të burgosurit të cilëve [Ahmet] Zogu u hapi burgjet më 1939 dhe që më pas u fshehën në Jugosllavi, të intensifikojnë krimet ordinere në mënyrë që të diskreditojnë organet e sigurimit publik.

b. Ndërmjet një propagande të zellshme të zhvilluar përmes informatorëve të vjetër dhe agjentëve të legatave dhe konsullatave të huaja, nga mësuesit e shkollave të vjetra amerikane, franceze dhe angleze në Shqipëri dhe të pseudointelektualëve anarkistë, të mbjellin mosbesim në përfundimin e luftës për Aksin dhe t’u shesin shqiptarëve një solidariteti ballkanik me inspirim bolshevik”.

Faksimile e faqes së parë të fashikullit titulluar %u201CRaporte të Mëkëmbësit të Përgjithshëm%u201D dhe një nga faqet e këtij fashikulli me logo
(Në foto Faksimile e faqes së parë të fashikullit titulluar “Raporte të Mëkëmbësit të Përgjithshëm” dhe një nga faqet e këtij fashikulli)

Fillimisht Mëkëmbësi shfaqet optimist se këto turbullime “nuk kanë mundur deri tani të prekin soliditetin thelbësor [të shqiptarëve]”. Pikërisht këtu e mbështeste Jacomoni besimin e tij te senatori Kruja, pasi sipas tij, “ai, biri i popullit, do të dijë ta shfrytëzojë këtë forcë [solidaritetin thelbësor të shqiptarëve], më mirë nga sa do ta bënte paraardhësi i tij”.

Për Jacomonin kishte ardhur koha të merreshin masa drastike për prishësit e qetësisë publike. Ai njofton qendrën se “si një paralajmërim i shëndetshëm ndaj turbulluesve të qetësisë publike, do të kryhen në ditët e ardhshme dy dënime me vdekje, të dhëna ndaj dy përgjegjësve për krime ordinere mjaft të rënda”. Ky do të ishte një rast i mirë për të provuar dhe besnikërinë dhe vendosmërinë e Mustafa Krujës. “Kapaciteti, - shprehet Jacomoni, - me të cilin do të japë prova Mustafa Kruja për ndëshkimin dhe parandalimin e krimeve dhe të çdo shkelje ligjore do të jetë elementi i parë konkret për të vlerësuar qëndrimin e tij në qeveri”.

Besimin që kishte Jacomoni ndaj Mustafa Krujës e dëshmon dhe raporti i dytë i 14 shkurtit 1942. “Shumë pritshmëri, - shkruan ai, - e rrethojnë qeverinë Kruja, por do të duhen disa muaj para se të riparohen shumë të këqija që vendi po vuan nga konflikti me Jugosllavinë dhe Greqinë. Kundër qeverisë ka intriga nga disa bejlerë dhe zogistë, por nuk përbëjnë deri tani ndonjë shqetësim të madh; ndihmojnë për të shpërqendruar opinionin publik nga opera italiane e ndërhyrjes”.

Mëkëmbësi edhe në këtë raport të dytë nuk dyshon për besnikërinë dhe vendosmërinë e Mustafa Krujës. “Për sa i takon Italisë dhe Fashizmit, - shkruan Jacomoni, - qeveria Kruja inspirohet deri tani nga respekti tërësor për konceptet që frymëzojnë politikën e Bashkimit. Në politikën e brendshme demonstron, deri në ditën e sotme, ekuilibër dhe mungesë anshmërie. Meriton, në mendimin tim, të mbështetet”.

Duket se Kryeministri Kruja me gjithë masat e marra për të vendosur rendin, ndër të cilat më të rëndësishmet ishin: vendosja e masave ndëshkimore ekstreme për një sërë krimesh; krijimi i shtatë batalioneve të Milicisë Fashiste Shqiptare, të cilat u përdorën si kundër ndjekësve të Abaz Kupit, Muharrem Bajraktarit, Shyqyri Pezës etj., kishin ndikuar, të paktën nga sa thotë Mëkëmbësi, për të ulur sadopak tensionet.

“Sigurimi publik (vrasje, vjedhje, e rrëmbime) kanë shënuar një përmirësim në muajin janar në krahasim me muajin dhjetor. Jam duke krijuar disa batalione të Milicisë Fashiste shqiptare për të shkatërruar bandat eventuale, për formimin e të cilave në pranverën e ardhshme po flitet shumë përtej kufijve. Shefi i njohur Shyqyri Peza, ka bërë aktin e nënshtrimit. Abaz Kupi dhe Bajraktari [Muharrem], të arratisur në Jugosllavi, duken për momentin të qetë”.

Kjo politikë e ashpër e Krujës, nga ana tjetër, duket të ketë shkaktuar mjaft pakënaqësi në qarqet e ndryshme të shqiptarëve. Për këtë është i vetëdijshëm edhe vetë Jacomoni. Ai raporton se “dënimet me vdekje kishin shtuar pëshpëritjet kundër senatorit Kruja”. Por sipas Mëkëmbësit, “këto kanë ardhur nga njerëz pa asnjë përgjegjësi ose që kanë frikë të shohin të afirmohet shumë personaliteti i Krujës”. Madje për të, “në fund të këtyre pëshpëritjeve duhet kërkuar propaganda angleze, e cila kërkon të shtyjë shqiptarët drejt një pozicioni të abstenimit politik, në dritën e një të nesërmeje të paqartë.

Në këtë sens edhe mbi konceptin e një federate të ardhshme ballkanike, në të cilën edhe Shqipëria do të mund të bënte pjesë, insiston pothuajse përditë dhe radioja shqiptare e Londrës, e cila mbi këtë bazë dhe mbi minimizimin e rrezikut të bolshevizmit për Shqipërinë, nuk e lë pas dore tentativën për të krijuar simpati për komunizmin edhe ndërmjet nacionalistëve. Këtë propagandë lufton natyrisht qeveria e Krujës, e cila është mjaft e vendosur të vijojë aksionin e ndëshkimeve të ndërmarrë sipas urdhrave të Romës. Janë duke u marrë masa parandaluese ndaj elementët që japin shenja se po bëjnë lojën e britanikëve”.

Si mbështetës i Partisë Fashiste, antikomunizmi ishte një motiv i fortë për M. Krujën, por jo i vetmi. Ndërsa Jacomonin shqetësohej për forcimin e pozitave të Italisë në Shqipëri, kryeministri Kruja kërkonte të përfitonte disa koncesione kombëtare. Në raportin e tij të 14 shkurtit 1942, Jacomoni u sugjeron eprorëve, që edhe nëse kryeministri, me rastin e udhëtimit të tij në Romë, nuk paraqet kërkesa kombëtare, ata duhet të bëjnë “ndonjë gjest që i shërben vëllazërimit të shpirtrave, kaq të nevojshëm në kohë lufte, dhe që favorizon administrimin më të mirë, edhe ky shumë i nevojshëm”.

Për këtë, sipas tij, duhet të bëhej spontanisht premtimi për një dekret mbretëror, që të dalë mundësisht më 12 prill, që kërkon të modifikojë flamurin shqiptar që ka pasur kaq pak mbështetje popullore. “Shenjat e tij, - shprehet Jacomoni, - ndërsa duken të përshtatshëm për stemën e shtetit, bëjnë të zhduket shqiponja romane e Skënderbeut, një simbol i rëndësishëm këtu”.

Edhe në raportin pasardhës, atë të 18 prillit 1942, Jacomoni thekson nevojën e bërjes së disa koncesioneve kombëtare për shqiptarët. “Dy janë sot, - shprehet ai, - dëshirat dhe ndjenjat e shprehura tashmë nga senatori Kruja për Shkëlqesinë Tuaj [Cianon]: modifikimi i flamurit dhe rishikimi i kufijve me Malin e Zi. Gjithashtu, Jacomoni ngre edhe shqetësimin tjetër të qeverisë Kruja për çështjen e katër nënprefekturave të Mitrovicës, për të cilat ai ka frikë se mos gjermanët lejojnë të pushtohen nga bullgarët.

Në raportin e 16 qershorit 1942, Jacomoni dëshmon se qeveria Kruja kishte marrë një satisaksion nga Italia, pasi u rivendos flamuri i Skënderbeut pa shenjat e Liktorit, vendim ky që u komunikua në Këshillin e Epërm Korporativ Fashist në prezencë dhe të funksionarëve të tokave të çliruara [Kosovës dhe rajoneve lindore shqiptare].

Jacomoni shprehet i kënaqur, pasi në diskutimet e mbajtura me këtë rast ishte vënë në dukje se “sot, ashtu si atëherë shqiponja e Skënderbeut dëshmon për një simbol të qytetërimit roman në Lindje”. Nga ana tjetër, ai ishte i kënaqur pasi ky vendim kishte arritur të qetësonte shpirtrat e shqiptarëve dhe këtë e tregonte “manifestimi që vijoi para Mëkëmbësisë, i cili duhej të konsiderohej si shenjë e mirënjohjes popullore për Mbretin, Duçen dhe Shkëlqesinë Tuaj”.

Ndërkohë, reputacioni i Mustafa Krujës po pësonte rënie për shkak të masave mjaft të ashpra të mara nga ai kundër bashkëkombësve që ishin përfshirë në rezistencën kundër pushtuesit. Për Jacomonin “as Kruja dhe as eksponentë të tjerë nuk po tregojnë shqetësim për sulmet ndaj lëvizjeve të tyre”.

E vetmja çështje që, në sytë e Jacomonit, i turbullonte thellësisht anëtarët e qeverisë janë konfliktet që mund të ndodhin në territoret përtej kufijve dhe që mund të reflektohen në rendin e brendshëm publik janë shqiptarët e mbetur në territorin malazez, veçanërisht në Senicë dhe në Pester. Një zgjidhje e kësaj çështje në mënyrë jo të favorshme për Shqipërinë, do ta vendoste Qeverinë në kushtet për të mos zhvilluar mandatin e saj”.

Raporti i 16 qershorit 1942, ishte i fundit në të cilin Jacomoni do të pasqyronte me optimizëm situatën në Shqipëri dhe të mbështeste veprimtarinë e qeverisë e kryeministrit Kruja. Dy muaj më vonë, më 31 gusht 1942, në një raport të ngjashëm drejtuar kontit Ciano, Jacomoni do t’i duhej të pranonte, duke lënë mënjanë edhe zbukurimet që kishin karakterizuar raportet paraardhëse, se qeveria Kruja kishte dështuar në detyrat që kishte marrë.

Rendi publik me gjithë masat drastike, nuk ishte përmirësuar, madje ishte përkeqësuar, sipas Mëkëmbësit, për shkak të rikthimit të të arratisurve nga Jugosllavia, por edhe aktivitetit në rritje të komunistëve, që “nxitet nga shtetet fqinje”. Situata ekonomike nuk ishte përmirësuar, madje qeveria kishte dështuar në kontrollin e kontrabandës që po vazhdonte të boshatiste tregjet shqiptare.

Qeveria Kruja nuk kishte mundur as të zgjeronte me tej territoret e shtetit shqiptar; as të fitonte një lloj autonomie më të gjerë nga Italia dhe as të mbronte popullsinë shqiptare të mbetur nën administrimin bullgar. I vetmi sukses i saj ishte heqja e shenjave të Liktorit nga flamuri shqiptar, Një çlirim ky simbolik që nuk ndryshonte asgjë në statusin e Shqipërisë dhe që shërbente të mbante të motivuar shqiptarët, që tashmë kishin vendosur t’iu shërbenin pushtuesve italianë.

Jacomonit, tashmë i duhet t`i pohojë eprorit të vet, se qeveria Kruja “nuk gëzonte aspak popullaritet”. Ai i gjen arsyet për këtë te “disa elementë që e përbëjnë atë, ... që kanë dhënë prova të mungesës së eksperiencës në administrim dhe të dobësisë personale”. Pavarësisht kësaj, Mëkëmbësi këshillon se për shkak të luajalitetit të treguar nga kryeministri në drejtim të Italisë dhe për të dhënë prova se “Italia nuk i braktis besnikët e saj”, M. Kruja të mbetej në krye të qeverisë, por shumë prej ministrave aktualë do të shkarkoheshin.

Tre faksimile të raportit nga fshikulli Raporte të Mëkëmbësit të Përgjithshëm me logo
(Në foto Tre faksimile të raportit nga fshikulli Raporte të Mëkëmbësit të Përgjithshëm)

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print(05.05.2013)

*Instituti i Historisë
Redkasia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës