Interesat e bonove të thesarit ranë për të dytin ankand radhazi në tregun primar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u shitën në ankandin e të martës kësaj jave me një yield mesatar të ponderuar prej 1.96%, nga 2.18% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Në ankandin e kësaj jave, kërkesat e paraqitur për blerje kishin vlerën e 12.1 miliardë lekëve, ndjeshëm më shumë në raport me shumën prej 8.2 miliardë lekësh të shpallur për financim nga Ministria e Financave. Kjo dëshmon se distanca mes kërkesës dhe ofertës është zgjeruar, duke sjellë rrjedhimisht edhe ulje të interesave që qeveria shqiptare paguan për instrumentet e borxhit.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të muajit shtator stoku i borxhit të brendshëm u rrit me rreth 9 miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Kërkesa e shtuar bëri që interesat t’i ktheheshin rritjes, pasi në tremujorin e parë kishin prekur nivelin më të ulët historik. Qysh në muajin tetor, interesat ranë sërish poshtë pragut të 2%. Pas sezonit veror, depozitat u rritën ndjeshëm, por një ndikim mund të ketë pasur edhe ndryshimi i rregullave për mbajtjen e rezervës së detyrueshme.

G.M./Shqiptarja.com
Komente

