FIER - Prej dhjetë ditësh gjysma e banorëve të qytezës së Levanit është pa energji elektrike. Shkak është bërë djegia e një tranformatori që furnizon rreth 7 mijë banorë. Qytetarët protestuan pranë komunës duke kërkuar zgjidhjen e situatës dhe ndërhyrjen e kompanisë CEZ.

 “Ne kemi 5-6 vjet pa drita këtu në Levan, na është djegur transformatori, as komuna nuk po merr masa për këtë punë. Nuk dimë kujt t’i drejtohemi, qeveritarët nuk kanë ardhur. Jemi ankuar në komunë, do vijmë thonë, por asnjë nuk ka ardhur.”

E njëjta situatë është edhe në fshatin Feras të kësaj komune ku një defekt elektrik në njërën shtyllë të tensionit të lartë ka lënë 1500 banorë pa furnizim me energji. Një javë më parë edhe në komunën Frakull mungoi energjia pas rrëzimit të një shtylle metalike.

“Hajde ta filmosh atje në vend dhe ta shikosh që asnjeri nuk e çan kokën, nuk do t’ia dijë njeri fare."
“Dritat që në datë 13 nuk kanë ardhur ne ankohemi por asnjë nuk do t’ia dijë për këtë lagje, për këta banorë që janë këtu,"- thonë banorët e Komunës Levan.

(ad.ti/shqiptarja.com)