TEPELENE - Një çoban është gjetur i pajetë në një zonë të pyllëzuar në fshatin Levan të Tepelenës, në kufi me Mallakastrën. Çobani i identifikuar me emrin Bilbil Cjapi, i moshës 52 vjeç, kishte një shenjë plagosjeje në pjesën e majtë të krahut dhe në këmbën e po të njëjtit krah. Policia më pas zbuloi se ai ishte qëlluar me çifte.

Ata që e kanë gjetur të pajetë viktimën nga Roskoveci i Fierit, kanë qenë dy djemtë e Hetem Celës, pronari i bagëtive që viktima shëtiste gjatë ditës së sotme. Dy djemtë e pronarit të bagëtive ishin nisur tek çobani për ta furnizuar atë me ushqime për ditën. Me të mbërritur në kullotë, dy fëmijët kanë parë të shtrirë përmbys bariun e familjes dhe kujtuan mos e kishte zënë gjumi, por kur insistuan ta zgjonin pasi delet kishin marrë arratinë, ai nuk përmendej. Më pas fëmijët kanë parë shenjat e gjakut në trup dhe menjëherë janë larguar të frikësuar tek i ati i tyre, Hetem Cela.

Ky i fundit ka lajmëruar policinë e cila ka mbërritur në vendngjarje vonë si pasojë e terrenit mjaft të vështirë dhe malor që karakterizon këtë zonë. Policia po heton për rrethanat e ngjarjes që etiketohet si vrasje pasi është përjashtuar kategorikisht vdekja natyrale, apo ajo aksidentale.

52-vjeçari kishte rreth 2 muaj që punonte si çoban, në bagëtitë e Hetem Celës, banor i fshatit Izvor në Tepelenë. Ky i fundit e kishte punësuar viktimën nga Roskoveci, pasi i’u lut për të siguruar të ardhurat për të mbajtur familjen. Madje vetë pronari është çuditur kur policia konfirmoi se Bilbil Cjapi ishte nga Roskoveci i Fierit, pasi më parë, ai ishte shprehur se rezultonte të ishte banor nga Këlcyra e Përmetit.

Dyshimet janë shtuar për një vrasje të mundshme nga një person i tretë pasi tre ditë më parë, 52-vjeçari kishte shprehur pasiguri për jetën e tij teksa kishte parë në distancë, një person të dyshimtë që qarkullonte me një armë gjahu në kullotë.

Mendohet se viktima, ishte larguar nga Roskoveci, për shkak të një hasmërie të lindur mes dy familjeve në këtë zonë dhe për të humbur gjurmët, ai asnjëherë nuk e kishte deklaruar origjinën e tij reale. Përsa i përket natyrës së viktimës, ai ishte i qetë dhe fjalëpakë, ndërkohë që punonte shumë.

Policia, po punon ndërkohë, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe autorin e mundshëm të vrasjes, nëse vërtetohet se është e paramenduar.

(pn/im/shqiptarja.com)