TEPELENE - Zbardhet vrasja e çobanit 52 vjeçar, Bilbil Cjapi, në malin e fshatit Levan të Tepelenës, ngjarje e ndodhur një ditë më parë. Policia ka arrestuar, në flagrancë, një 16-vjeçar, si autor të vrasjes, i cili është edhe djali i pronarit të bagëtive.

Ndërkohë, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e krimit. Sipas policisë, shtetasi Bilbil Cjapi ishte duke kullotur bagëtitë së bashku me shtetasin Hasan Çela, djalin e pronarit te bagëtive. Adoleshenti Çela mbante në krah një armë gjahu të babait të tij, të pajisur me leje, por duke luajtur me armën e gjahut, ka vrarë pa dashje, nga pakujdesia, shtetasin Bilbil Cjapi.

Plumbi i ka përshkuar këtij të fundit kraharorin, duke i shkaktuar plagë në zemër e për pasojë edhe vdekjen. Çela, kur ka parë se ka vrarë shtetasin Bilbil Cjapi, është trembur dhe ka ikur me vrap për në stan, ku ka fshehur armën e gjahut dhe lajmëruar të atin, duke thënë se çobanin e kishin vrarë dhe ai e kishte gjetur të vdekur. Por, hetimet zbuluan se adoleshenti ka qenë autori i vrasjes.

(shqiptarja.com)