Lëvizja/Ndahet opozita,5 aleatë
me peshë braktisin PD në janar

Lëvizja/Ndahet opozita,5 aleatë<br />me peshë braktisin PD në janar<br>
Mosbesimi i thellë dhe llogaritë e fshehta politike për reformën zgjedhore përçajnë opozitën e bashkuar. Teksa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, po mobilizon bazën për protestat e planifikuar në janar kundër zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, të paktën pesë parti aleate pritet të braktisin zyrtarisht frontin opozitar, gjatë ditëve dhe javëve të para të vitit që vjen, pas mosmarrëveshjeve me PD për reformën zgjedhore.

Partitë kanë nisur lëvizjet për të formuar një aleancë të re politike si reaksion kundër monopolit të dy partive të madha. Pjesë e kësaj lëvizjeje janë Partia Agrare Ambientaliste me në krye Agron Dukën, Partia Demokristiane me në krye Nard Ndokën, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar me në krye Dashamir Shehin dhe PDBNJ me kryetar Vangjel Dulen.

Pjesë e këtij formati politik, pritet të bëhen edhe 11 parti të tjera, të majta dhe të djathta, mes tyre edhe Balli Kombëtar, subjekt i cili është ndëshkuar gjithashtu nga Kodi aktual Zgjedhor, i cili mban vulën e Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialiste. Krerët e PBDNJ, PDK dhe LZHK, vetëm gjatë muaj më parë, kanë marrë mandatin e deputetit nën siglën dhe në listat e Partisë Demokratike. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi i Partisë Republikane dhe LSI, të cilat janë gjithashtu të interesuara për uljen e pragut elektoral.

Konfirmon Ndoka
Kreu i PDK, Nard Ndoka, tha për Shqiptarja.com se bashkëpunimi fillimisht do të konsistojë në interesin e përbashkët për reformën zgjedhore, por nuk e përjashtoi mundësinë që aleanca të funksionojë edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare.

Reagimi i Ndokës vjen pas një takimi informal në Durrës, mes krerëve të 7 partive politike parlamentare dhe jo parlamentare. ‘Në janar do të ketë një konfigurim të ri. Bashkëpunimi fillimisht do të fokusohet tek reforma zgjedhore. Më pas do të ketë hapa të mëtejshëm. Nuk përjashtohet mundësia e një aleance të përbashkët”, tha Ndoka.

PLL dhe Balli Kombëtar
Ish-kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana, pohoi për Shqiptarja.com se është pro një poli të tretë kundër teatrit dhe lojërave të PD-PS, por me kushtin që subjektet politike të bashkohen rreth një boshti ideologjik dhe jo për interesa të ngushta.

“Për mendimin tim një pol i tretë do të kishte kuptim vetëm nëse disa subjekte bashkohen rreth një boshti ideologjik ose politik ndërsa. Nëse krijohet një pol i tretë për interesa të ngushta, presion ose aritmetikë, nuk mendoj se do të kishte sukses.

Reforma e Kodit Zgjedhor mund të jetë një rast për krijimin e një poli të tretë dhe për t’u treguar PS dhe PD se qytetaret shqiptarë janë ngopur me lojërat dhe teatrin që ata kanë bërë dhe bëjnë njëri me tjetrin në dëm të demokracisë dhe pluralizmit”,
tha Gjana.

Kreu i Partisë Balli Kombëtar, Adriatik Alimadhi, tha për Shqiptarja.com se nuk është në pjesë e diskutimeve për mundësinë e një aleance me partive të lartpërmendura, ndërsa hodhi akuza ndaj PD për mbrojtjen e komunistëve, shkeljen e marrëveshjeve parazgjedhore dhe goditjen e partive të tjera me anë të Kodit Zgjedhor.

Beteja e për reformën zgjedhore
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, pavarësisht retorikës dhe përplasjeve politike, janë të interesuara që të mbrojnë këtë sistem zgjedhor, i cili për shkak të pragut elektoral nuk favorizon aleancat jashtë dy partive të mëdha dhe as partitë që dalin më vete.

Ky sistem, qoftë brenda apo jashtë aleanca, i çon votat e partive të vogla në thesin e dy partive të mëdha. Ndërkaq, partitë e vogla kërkojnë ndryshimin e sistemit, duke futur të paktën korrektimin kombëtar, i cili mbledh votat e një partie në të gjithë zonat elektorale dhe i përthyer në mandat, mjafton që të numri i votave të jetë mbi 9 500 në të gjithë vendit.

Konkretisht, LIBRA e Ben Blushit, nëse sistemi do të parashikonte korrektimin kombëtar, me 19.806 vota që mori në 2017, do të merrte 1-2 vende në Parlament. Partitë e vogla parlamentare ose jo, kanë një numër kërkesash dhe propozimesh për reformën zgjedhore, por beteja e madhe konsiston tek rrëzimi ose jo i pragut elektoral.

Poli i tretë
Kreu i PAA, Agron Duka, disa ditë më parë, pas një takimi me krerët e pesë partive, përfshirë edhe Ben Blushin dhe Bamir Topin, foli edhe për idenë e një poli të tretë. “Mund të them se rezultati i parë do të jetë krijimi i një boshti prej 10 partish, parlamentare dhe jo, dhe bashkërisht do të prezantojmë një platformë me propozime konkrete; sigurisht, guri i themelit i këtij bashkimi është “Reforma Zgjedhore”.

Lançimi i kësaj ideje politike, e kësaj alternative, do t’i bëjë mirë shoqërisë shqiptare dhe vetë jetës politike në vend, pasi kërkon që procesi zgjedhor të lejojë përfaqësimin e sa më shumë shtresave të popullsisë.

Ideja e një poli të tretë apo të qendrës, në thelbin e saj ka edhe një efekt tjetër pozitiv, limiton mazhorancat e plota nga një forcë e vetme; eksperiencat kanë treguar që mazhoranca, sidomos aktualja, sillen me arrogancë dhe për të frenuar këtë sjellje është e rëndësishme të ketë një ekuilibër në çdo mazhorancë të ardhshëm”,
tha Duka.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën

Kremlini: Putini gati për bisedime për paqe me Ukrainën