Një takim i zhvilluar mes Ervin Salianjit, Ilir Alimehmetit dhe disa prej figurave më të votuara të Partisë Demokratike, ka rikthyer në qendër të vëmendjes lëvizjet e brendshme në selinë blu.
Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa deklarata nëpër media, gjë e cila nxiti menjëherë spekulimet se brenda Partisë Demokratike po “formohet” një grupim i ri i cili do të kërkojë një lëvizje të strukturave. Por, kreu i PD Sali Berisha u përpoq ta sfumonte këtë takim të Salianjit me figura të tjera të PD-së, duke thënë se takimet në kafe nuk meritojnë të komentohen.
Berisha tha se diversitet brenda në parti ka dhe do të ketë, e ndërsa deri më tani ka vonuar analizën e brendshme në parti, thotë se ku proces ka nisur.
"Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente, por PD është partia më e hapur dhe demokratike e këtij vendi për çdo lloj mendimi, ideje dhe kaq mund të them. Procesi i analizës së brendshme ka nisur, janë bërë gjithë udhëzimet. Kjo nuk përbën asnjë lajm dhe risi, thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës dhe Lubisë. Diversitet mendimi në këtë parti ka patur dhe do ketë”, tha Berisha.
Pyetjes nëse është i shqetësuar nga ky takim i figurave me të votuara në PD në primare, Berisha tha se Salianji apo Alimehmeti janë njerëz me kontribute në parti.
“Unë i shqetësuar? Jo njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres çdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë." - u shpreh Berisha për mediat.
Pjesë e këtij takimi kanë qenë Ervin Salianji, Ilir Alimehmeti, Hysen Kadiu, i pari i primareve si dhe Aulon Kalaja, Qani Xhafa apo Tedi Kopliku.
Komente












