Një 29-vjeçar me origjinë suedeze është arrestuar në qytetin e Durrësit. Sipas njoftimit të bluve i riu lëvizte në qytetin bregdetar me armë zjarri.

“Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve, patrullimeve, bashkëpunimit me qytetarët dhe punës informative, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, krahas angazhimit maksimal për zbatimin e planit të posaçëm të masave të ndërmarra në kuadër të sezonit turistik, shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh finalizuan 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Siguria”, gjatë të cilave u godit një rast i armëmbajtjes pa leje, si dhe u parandalua një vjedhje. Për këto raste:

-u arrestua në flagrancë shtetasi suedez, O. K., 29 vjeç, pasi gjatë kontrollit në çantën (marsup) që mbante me vete, u gjet 1 armë zjarri (pistoletë) me karikator të mbushur me fishekë, që posedoheshin pa leje”, njoftoi sot policia.

Ndërkohë në pranga ka rënë edhe një 24-vjeçar pasi tentoi të vidhte një kasafortë murale në një banesë. Policia ka ndaluar një nga bashkëpunëtorët e tij, 38-vjeç, ndërsa në kërkim ka shpallur një tjetër.

“U arrestua në flagrancë, në afërsi të banesës, ku kishte tentuar të vidhte një kasafortë murale, shtetasi D. P., 24 vjeç, ndërsa nga hetimet e kryera për këtë rast, u identifikuan 2 bashkëpunëtorët e tij, shtetasit V. K., 38 vjeç dhe S. I., 26 vjeç. Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u mundësua ndalimi i shtetasit V. K., ndërkaq punohet intensivisht për kapjen e shtetasit S. I. Kontrollet vijojnë”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale për te dyja rastet iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë