/ATSH-AFP/ - Sekretari amerikan i Thesarit, Jacob Lew i kërkoi dje Greqisë dhe partnerëve evropianë të moderojnë gjuhën për gjetjen e një marrëveshjeje pragmatike mbi borxhin e Athinës që po mban zonën euro në tension.
"Tashmë të gjithë duhet të bëjnë përpjekje për të ulur presionin e retorikës, duhet të ketë një dialog nëpërmjet të cilit Greqia dhe të gjitha palët të kërkojnë një zgjidhje praktike dhe pragmatike", deklaroi Lew për stacionin televiziv CNBC.
"Kjo është në interes të të gjithëve", theksoi ai ndërkohë që qeveria e re greke po bën përpjekje me partnerët evropianë për gjetjen e një zgjidhjeje për lehtësimin e barrës së borxhit.
"Greqia ka bërë shumë sakrifica dhe ndryshime në ekonominë e saj gjatë këtyre viteve të fundit. Ajo ka baza më solide (...) dhe duhet të ndërtohet mbi këto baza më solide", shtoi ai.