LEZHË - Koalicioni i djathtë ka humbur mazhorancën në Këshillin e Qarkut të Lezhës, duke zgjedhur në postin e nënkryetarit të këtij këshilli Gjokë Noka, perfaqësues i së majtës. Kandidati i majtë ka marrë 21 vota, ndërsa përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Preng Lala ka marrë 9 vota, ndërsa 6 këshilltarë kane abstenuar.

Për kandidaturën e Nokës kanë votuar shumica e këshilltarëve. Në fillim të mbledhjes, kreu i Qarkut të Lezhës, Pashk Gjoni ka kërkuar që të zhvillohet një votim i qetë, dhe pa tensione.

Posti i nënkryetarit të Qarkut të Lezhës kishte mbetur vakant, pas largimit të Mhill Fufit, i cili në zgjedhjet e 23 qershorit u zgjodh deputet i Partisë Demokratike. Mazhoranca në qarkun e  Lezhës i përkiste koalicionit të djathtë, por me zgjedhjen e nënkryetarit të ri do të thotë se për kandidaturën e Gjok Nokës kanë votuar edhe përfaqësues të së djathtës.
 
Redaksia online
(jh/ac/shqiptarja.com)