“Arrest ne burg” ka qenë masa e dhënë nga Gjykata e Kurbinit për 69-vjeçarin Tom Lala autor i vrasjes së 50-vjeçarit Mark Ndreca, ngjarje e ndodhur të shtunën e kaluar në fshatin Gallat.
 
Nën masa të rrepta sigurie ai u paraqit në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë, ndërsa të pranishëm ishin dhe familjarë të tij.
 
Në seancën e cila është zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet se 69-vjeçari Lala e ka pranuar krimin e kryer prej tij, ndërsa ka shfaqur pendesë për atë çfarë ka ndodhur.
 
Në dëshminë e tij para togave të zeza Lala ka deklaruar se, ka qëlluar për vetëmbrojtje, pasi viktima në momentin e konfliktit ka zbritur nga makina.
 
"Në momentin kur unë e parakalove dhe ndalova për tu sqaruar me të, Mark Ndreca doli nga makina dhe futi duart në brez. Në atë moment unë mendova se ai kishte armë dhe po e nxirrte që të më qëllonte mua, ndaj dhe unë reagova duke qëlluar në drejtim të tij" mësohet të ketë thënë Tom Lala.
 
Në bazë të provave dhe dëshmive të mbledhura në vendin e ngjarjes nga oficerët e policisë gjyqësore, organi i akuzës e ka quajtur të ligjshëm arrestimin e tij, duke kërkuar që ai të mbetet në burg.
 
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe gjyqtari i cili ka vendosur masën e sigurisë “burg pa afat” për 69-vjeçarin Tom Lala, për veprën penale “vrasje me paramendim”.
 
Pasditen e të shtunës 69-vjeçari Tom Lala qëlloi me armë gjahu kushëririn e tij Mark Ndreca, duke e lënë atë të vdekur në vend.
 
Ngjarja e rëndë u regjistrua në fshatin Gallatë të Kurbinit për motive pronësie, ndërsa autori i ngjarjes u vu në pranga nga policia vetëm 4 ditë pasi ndodhi krimi.

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)