TIRANE- Komisionerët e fshatit Dragushë të Lezhës dolën para gjyqit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe deformimit të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Seanca filloi fiks në orën 10.00 ashtu siç ishte caktuar, ndërsa mungesa e njërit prej të akuzuarve, Gentian Kovaçi, bëri që Porkurori i çështjes Ervin Beqiri të kërkonte shtyrjen e seancës gjyqësore, gjë që është pranuar edhe nga gjyqtari i çështjes Adriatik Boci. Ky i fundit lexoi edhe akuzën për 7 komisionerët e paraqitur në sallë, të cilët akuzohen për manipulim të rezultatit të zgjedhjeve si dhe shpërdorim detyre". Interesi për këtë seancë ishte maksimal nga pala paditese, pasi krahas ish-kandidatit të PS për Komunën Dajç, Rrok Rroku, senaca gjyqësore u ndoq edhe nga ish deputeti Gjok Jaku dhe drejtues të tjerë lokalë të PS.

Ish-kandidati Rroku thotë se, manipulimi është lehtësisht i faktueshëm. Gjykimi po bëhet për qendrën e Votimit nr 069 në fshatin Dragush, ku nga 300 votues, kanë marrë pjesë në procesin e votimit 264 votues ose 88% e zgjedhësve. Nga këta, 109 votues nuk janë parqitur fare në votim, por për ta, kanë votuar komisionerët. Për këtë, pala paditëse ka siguruar edhe deklaratat noteriale të personave që janë në emigracion dhe rezultojnë që kanë votuar ditën e zgjedhjeve. "I njëjti fenomen ka ndodhur edhe në kutitë e tjera dhe unë kam bërë kallzimin" tha për shqiptarja.com, kandidati i PS që ka humbur zgjedhjet në 8 maj, Rrok Rroku.

Prokuroria e Lezhës akuzon për falsifikim të rezultatit të zgjedhjeve vendore të 8 majit komisionerët Lulzim Paloka, kryetar i qendrës së votimit, Ndoc Marku nënkryetar, Mark Kola sekretar, si dhe anëtarët: Zef Gjoni, Pjetër Marku, Pal Prendi, Gentian Kovaçi dhe Gent Marku, përfaqësues të PD-së, PS-së, LSI-së dhe PBDNJ-së. Sipas Prokurorisë së Lezhës, komisionerët e lartëpërmendur kanë firmosur listën e zgjedhësve, duke falsifikuar nënshkrimet e votuesve dhe numrat e kartave të identitetit, apo pasaportave duke justifikuar në këtë mënyrë praninë e votuesve në qendrën e votimit. Por teksa 8 komisionerët janë vënë nën hetim, vetë ata deklaruan për median vizive disa javë më parë se nuk janë përfshirë në manipulimin e zgjedhjeve në fshatin Dragushë. Seanca e rradhës për 8 komisionerët është caktuar më datën 4 Maj.
(eq/sg/shqiptarja.com)