LEZHE - Një i vdekur dhe 8 të tjerë të plagosur është bilanci tragjik i dy aksidenteve të ndodhura mbrëmjen e të hënës në rrugët e Lezhës. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 20:00 në superstradën Lezhë-Laç në afërsi të kryqëzimit të Kosovës, ku një mjet me targa të huaja që drejtohej nga Ismete Arifi, 35 vjeç me të cilin udhëtonin edhe 6 persona, 4 prej të cilëve fëmijë, doli nga rruga si pasojë e mos respektimit të sinjalistikës dhe shpejtësisë së madhe dhe përfundoi jashtë rruge.

Si pasojë e këtij aksidenti humbi jetën vajza 10-vjeçare e drejtueses së mjetit, ndërsa kanë mbetur të plagosur pasagjeret e tjerë por jashtë rrezikut për jetën.

Vetëm pak minuta me vonë një tjetër aksident u shënua në aksin rrugor Lezhë Shëngjin në afërsi të Knallës. Një automjet tip Volkswagen me targa të huaja që drejtohej nga 28-vjeçari Kristjan Shtinja nga Laçi, në tentativë për të parakaluar, është përplasur kokë me kokë me një automjet tip Mercedes me targa të huaja që drejtohej nga Blerim Alia 20 vjeç ndërsa me të ndodheshin edhe 3 persona të tjerë.

Përplasja mes mjeteve ka qene tepër e fortë duke lënë të bllokuar brenda Mercedesit 20-vjeçarin Alia.

Tre zjarrfikëse dhe një autoambulancë me staf mjekësor kanë punuar për rreth 1 orë e 30 minuta për të nxjerrë nga mjeti 20-vjeçarin dhe dërgimin e tij për në spital.

I plagosur në këtë aksident ka mbetur edhe 28-vjeçari Kristjan Shtinja që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

(el.hi/shqiptarja.com)