Institucionet vendore në Lezhë kanë nisur përgatitjet për sezonin turistik veror, duke e vendosur bregdetin në qendër të vëmendjes. Hapi i parë i ndërmarrë është pastrimi i vijës bregdetare dhe zonave përreth, me synim krijimin e një mjedisi sa më të pastër për pushuesit.
Pas identifikimit të disa hapësirave problematike me mbetje në Shëngjin dhe Tale, të krijuara kryesisht nga pakujdesia e vizitorëve apo nga prurjet e detit, bashkia në bashkëpunim me institucionin e Prefektit ka ndërmarrë një aksion të përbashkët pastrimi.
Në terren janë angazhuar punonjës të administratës, banorë të zonave bregdetare dhe mjete të shërbimeve publike për largimin e mbetjeve, sidomos në pikat ku ndotja ishte më e madhe.
Prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, u shpreh se ndërhyrje të tilla janë të domosdoshme për të përgatitur bregdetin për sezonin veror dhe se aksionet do të vijojnë edhe në javët e ardhshme.
“Kemi organizuar një aksion pastrimi me të gjitha institucionet në Lezhë. Ky është një aksion ndërgjegjësues në pritje të nisjes së sezonit turistik. Ka edhe qytetarë vullnetarë që na janë bashkuar”, tha Taulant Mashi.
Insitucionet vendore bëjnë me dije se ndërhyrjet do të jenë të vazhdueshme dhe do të përqendrohen veçanërisht në zonat me rrezik më të lartë ndotjeje, por edhe në hapësira që deri tani kanë pasur më pak vizitorë, me qëllim që të zgjerohet oferta e plazheve dhe të shmanget mbingarkesa në zonat turistike më të frekuentuara.
Komente










