LEZHE - Zyra e Shoqatës së Jetimeve në Lezhë është përfshirë nga flakët e zjarrit, duke djegur një pjesë të dokumentacionit. Ngjarja është shënuar rreth mesditës të së premtes, ndërsa në zyrë nuk ka pasur asnjë punonjës gjatë momentit të ngjarjes.
 
Zjarri në zyrën e cila ndodhet në katin e 4-t të një godine në qendër të Lezhës, shkaktoi panik edhe tek punonjësit e zyrave të tjera të cilët janë evakuuar me shpejtësi. Shefi i policisë Zjarrfikëse Agostin Pepkolaj, thotë se falë ndërhyrjes së shpejtë u bë i mundur që mos të digjeshin zyrat aty pranë.
 
Fillimisht u bë e ditur se shkak për rënien e zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike për shkak të amortizimit të godinës ku ranë flakët.
Ndërsa sot, policia e Lezhës ka proceduar penalisht kryetarin e Shoqatës së Jetimëve të këtij qyteti, Ndoc Lulaj, pasi ai ishte personi i fundit që ka dalë nga zyra.
 
Ndërkohë policia e Lezhës vijon hetimet për këtë ngjarje.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)