LEZHE- Banorë të komunës Zejmen dhe Kolsh të Lezhës sot në mëngjes i janë rikthyer protestave kundër ndërprerjeve të energjisë elektrike. Si dje, ata kanë bllokuar autostradën Lezhë- Tiranë në vendin e quajtur Shën Koll.

Në orën 10:00 korrespondenti ynë në Lezhë, Julian Hila informon se ka pasur përplasje mes policisë dhe protestuesve. Policia me ndihmën e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të ardhur nga Shkodra kanë ndërhyrë për të liruar autostradën dhe për ta mbajtur të lirë për lëvizjen e automjeteve.

Informohet se ka pasur konfrontim mes banorëve dhe policisë e forcave të FNSH-së, madje është bërë dhe ndalimi i disa prej protestuesve. Banorët  deklarojnë se do të dalin çdo ditë në protestë deri kur CEZ të lidhë energjinë elektrike. 

80 % e banorëve të komunës Zejmen thonë se janë pagues të rregull të energjisë elektrike dhe kundërshtojnë ndëshkimin kolektiv që CEZ ka ndërmarrë për ndërprerjen e energjisë në të dyja komunat.


Edhe dje banorët e komunës Zejmen bllokuan autostradën në shenjë proteste për mungesën 1 javore të energjisë elektrike. Për 30 minuta aksi rrugor që lidh Lezhën me Laçin u bllokua plotësisht nga banorët, që kërkonin rilidhjen e energjisë pasi sipas tyre janë vetëm 20 % e popullatës që nuk kanë paguar faturat, ndërsa pjesa tjetër ka vijuar rregullisht me pagesat. Sipas banorëve, dënimi kolektiv nuk duhet zbatuar në zonat të cilat kanë debi mjaft të ulët, dhe paralajmëruyan se do të vijojnë me protestat e tyre edhe në ditët në vazhdim.
(sg/shqiptarja.com)