Kjo është situata e krijuar në bodrumet e pallateve të ndërtuara vitet e fundit në lagjen “Besëlidhja” të qytetit të Lezhës, pas reshjeve të fundit të shiut. Vërshimi i ujërave ka përmbytur katet e nëndheshme, duke shkaktuar mjaft dëme për banorët. Ata thonë se problematika është prezente sa herë ka reshje shiu me intensitet të lartë, duke u kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për ta, pasi prania e ujit për ditë të tëra dëmton strukturat e ndërtesave dhe përbën rrezik për jetën e fëmijëve.

“Këtu është bërë problem sa herë bie shi. Vjen përmbytja nga Millenium tek pusi kryesor. Uji vjen nga qyteti këtu. Është djegur edhe ashensori që ka kushtuar 6900 Euro. Bodrumet mbushen mbi 2.5 metra me ujë. Askush nuk merret. Pusetat janë të mbushura plot e të papastruara. Janë të hapura. Zgjidhja është me tubacione të mëdha por këta nuk e kanë futur as në projekt” tha një banor.

“Prania e ujit është shumë problem se na ka djegur ashensorin, na ka bllokuar rrugën. Problem është uji që mblidhet tek rotondo e vjen këtu. Dikur ka qenë kanali kullues por pasi është ndërtuar rruga, uji i gjithë qytetit mbldidhet këtu. Sa herë që bie shi mbushet plot me ujë” tha një banor tjetër.

Ndërtimet pa kriter dhe pa plan për t’u mbrojtur nga përmbytjet konsiderohen si shkaku i kësaj situate, ndersa si zgjidhje shihet investimi i nisur prej muajsh për kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza në të gjithë qytetin e Lezhës.