Gjykata e Lezhës la në burg dy personat e kapur me bomba me telekomande në tentative për t'i transportuar drejt Malit të Zi. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, Erol Çiçi dhe Maringlen Gruda, mësohet të kenë thënë se çanta ju është dhënë nga një person i tretë dhe nuk kanë patur dijeni se brenda saj të ketë patur lëndë shpërthyese.

Sipas tyre ata kanë qenë duke lëvizur me personin në fjalë, por duke qenë se i ishte prishur makina ju ka dhënë çantën e ju kishte thënë që ta prisnin në Lezhë. Por pretendimet e tyre nuk u morën parasysh nga gjykata e cila referuar provave të paraqitura nga prokurori Arben Agovi vendosi masën e sigurisë arrest me burg për dy të ndaluarit.

Erol Çiçi,  33-vjeç dhe Maringlen Gruda, 30-vjeç që të dy banues në Durrës u arrestuan në hyrje të qytetit të Lezhës dhe kontrolli gjatë të ushtruar nga Policia, në çantën e shtetasit Maringlen Gruda janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular, ku njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi.

Specialistet për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Policinë e Lezhës, nën drejtimin e Prokurorisë kishin marrë informacion për veprimtarinë e këtyre shtetasve dhe prej 1 muaj ishin vënë në vëzhgim dhe ndjekur me metoda proaktive, ndërsa nga hetimet rezulton se ata janë vetëm transportuese të lëndës shpërthyese në distancë.