Gjykata e Lezhës ka dënuar me 5.5 vite burg në total 6 komisionerët e dy qendrave të votimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit të vitit 2011-të në Komunës së Dajçit, ndërsa për 10 të tjerë është vendosur nga 1 milion lekë gjobë për secilin.

Gjykatësi i çështjes Jak Ndoka shpalli fajtor 16 komisionerët e qendrave të votimit 0697 Dajç dhe 0700 Koterr, duke dënuar me burg kryetarët, nënkryetarët dhe sekretarët, ndërsa me gjobë të gjithë komisionerët e tjerë.

5 prej tyre janë dënuar me nga 1 vit burg, ndërsa për njërën prej tyre është dënuar me 6 muaj burg.
 
Gjykata vendosi t’iu heqë të drejtën e funksioneve publike 16 komisionerëve për një periudhë tre vjeçare për secilin.

Ata u dënuan me akuzën e shpërdorimit të detyrës, falsifikimit të dokumenteve, duke ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve vendore të vitit 2011-të në këtë njësi vendore.

Por vendimi i Gjykatës është kundërshtuar nga avokati i 16 komisionerëve.

Ai ka kërkuar që ata të shpallen të pafajshëm, pasi sipas tij akuzat nuk qëndrojnë sepse nuk ka prova që e faktojnë një gjë të tillë.

Sipas avokatit mbrojtës të komisionerëve vendimi i dhënë në shkallën e parë do të apelohet në Gjykatën e Apelit në Shkodër, ku do të kërkohet pafajësia.

Më herët Prokuroria e Lezhës kishte kërkuar dënimin me 28 vite burg në total për 16 komisionerët e dy qendrave të votimit në Komunën e Dajçit.

Në argumentat e paraqitura nga organi i akuzës është vërtetuar se atë ditë kanë votuar persona që nuk kanë qenë fare në Shqipëri.

Gjithashtu në këto dy qendra votimi rezultojnë të kenë votuar edhe persona të tjerë që nuk gjenden në regjistrin e votimit, si dhe persona që kanë pasur karta identiteti dhe pasaporta të cilët nuk janë të sakta.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)