LEZHË - Dy vëllezër në fshatin Manati të Lezhës jetojnë në një varfëri esktreme, pa shtëpi e të ardhura.
 
Në një rrënojë pa çati, pa dyer dhe dritare strehohen dy vëllezërit Ndreca në fshatin Manati të Lezhës. Jetesa e tyre është shumë e mundimshme dhe shpresat e tyre duket se kanë humbur tashmë.
 
Në shtëpi gjetëm vetëm njërin vëlla, Nikollën pasi vëllai i madh Mëhilli kishte shkuar që të tërhiqte pensionin e invaliditetit. Në Lezhë, Nikollën e njohin thuajse të gjithë si një njeri që ka nevojë për çdo gjë, por pak lezhjanë e dinë se ku ai fle, me çfarë ushqehet dhe jetesën e tij.
 
Ai tregon se jeta e tij dhe e të vëllait ka qenë dhe mbetet një kalvar mundimesh dhe që sot kërkon ndihmë nga të gjithë, e sidomos nga instancat shtetërore.
 
Banorët e zonës thonë se kjo familje nuk është ndihmuar nga askush dhe se jeta e dy vëllezërve vijon të mbetet në rrezik, pasi një pjesë e çatisë së banesës, ku ata strehohen, mund të shembet nga çasti në çast.
 
Kjo ishte një pjesë e kalvarit të mundimeve të përditshmërisë së dy vëllezërve Ndreca, e cila kërkon përkrahjen e shoqërisë dhe përgjegjshmërinë e organeve shtetërore për të ndryshuar mënyrën e jetesës së tyre, e cila është në kushte ekstreme.

Kronika e bashkangjitur shkrimit ju njeh me pamjet e kushteve të vështira e gati mesjetare në të cilën jetojnë dy vëllezërit Ndreca.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)