Një 38-vjeçar kallëzoi në polici, se mesditën e djeshme, teksa lëvizte me makinë në rrugën e Patokut, u qëllua me armë zjarri. Nga hetimi i nisur, policia zbuloi se të dyshuarit janë të afërm të tij, 3 prej të cilëve u arrestuan, dhe një i katërt u shpall në kërkim

Sipas policisë, në pranga ranë babë e bir, Gjon dhe Arben Laska 67 dhe 40 vjeç dhe kushëriri i tyre, Elvis Laska 28 vjeç, të gjithë banues në Laç. Ndërkohë djali tjetër i 67-vjeçarit, Vlash Laska u shpall në kërkim.

Në një njoftim zyrtar, blutë thonë se ata janë konfliktuar verbalisht me kushëririn e tyre 38-vjeçar për motive pronësie, dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të makinës me të cilën ai lëvizte, fatmirësisht pa e plagosur.

Nën frikën e plumbave, gjatë largimit, 38-vjeçari është aksidentuar me një tjetër automjet, por vetëm me dëme materiale.

Arma ende nuk është gjetur.

Njoftimi i policisë:

Qëlluan me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte kushëriri i tyre, për motive të dobëta, arrestohen 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 (familjarë të njëri-tjetrit).

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe policore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, menjëherë pas kallëzimit të shtetasit P. L., 38 vjeç, se mesditën e djeshme, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte në rrugën e Patokut, ishte qëlluar me armë zjarri, u mundësuan lokalizimi dhe ndalimi i shtetasve të përfshirë në këtë rast, konkretisht Gj. L., 67 vjeç dhe Gj.(A.) L., 40 vjeç, babë e bir, dhe E. L., 28 vjeç, kushëri i tyre, të gjithë banues në Laç.

Gjithashtu, u shpall në kërkim djali tjetër i shtetasit Gj. L., shtetasi V. Gj.(L.), 35 vjeç, banues në Laç.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, pas një konflikti verbal, për motive të dobëta, me kushëririn e tyre, shtetasin P. L., kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte ai. Nga ky rast, nuk pati shtetas të dëmtuar.

Shtetasi P. L., gjatë largimit nga vendngjarja, ka përplasur me automjetin që drejtonte, një automjet, me pasojë vetëm dëme materiale. Automjeti i 38-vjeçarit u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Punohet për kapjen e shtetasit V. Gj.(L.), për gjetjen e armës së zjarrit, si dhe në drejtimin e Prokurorisë, për individualizimin e përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve të përfshirë në këtë rast.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.