LEZHE - Prej disa ditësh në Burgun e Shën Kollit në Lezhë rreth 120 të burgosur kanë nisur të protestojnë deri në refuzimin e ushqimit.

Korespodenti i A1 Report në Lezhë raporton se të burgosurit kërkojnë që procesi i amnistisë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të bëhet sipas rregullave dhe ligjit e jo në mënyrë abuzive dhe selektive. Në ditën e sotme ishte e pamundur që të kontaktohej me anë të telefonit me të burgosurit gjë e cila është bërë më parë.

Drejtori i burgut të Shën Kollit, Valentin Miri i kontaktuar nga A1 Report refuzon të japë informacion lidhur me këtë situatë pasi e quan gjithçka të pavërtetë. Ndërkaq, e njëjta situatë ndeshet edhe në burgjet e Rrogozhinës, Peqinit dhe Fushë Krujës.

Një nga të dënuarit e burgut të Rrogozhinës përmes një mesazhi dërguar redaksisë së A1 Report zbardh disa prej kërkesave të atyre që kanë nisur grevën e urisë. Ata kërkojnë të përfitojnë nga amnistia për 100 vjetorin e pavarësisë duke ju ulur 1/4 e dënimit; të ndryshojë neni 64 i Kodit Penal për lirimin me kusht me 3/5 e dënimit duke vlerësuar se në këtë mënyrë ulet korrupsioni në drejtësi.

Së treti kërkojnë nga kryeministri të mbahen premtimet e dhëna se me rastin e festës së pavarësisë do të gëzojnë të gjitha nënat shqiptare.

(Gre.M/Shqiptarja.com)