Më 15 mars, automjeti i parkuar poshtë bllokut të pallateve në lagjen “Besëlidhja” ku banon agjenti i krimeve në policinë e Lezhës, Gentjan Gjetja, shpërtheu me tritol rreth orës 05:55.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale. Aty pranë nuk kishte kamera sigurie, por hetuesit zgjeruan rrezen e vëzhgimit dhe përmes këqyrjes me detaje të disa kamerave të bizneseve, u pa një motor i dyshimtë që lëviz në zonë para dhe pasi automjeti i agjentit u shkatërrua me lëndë plasëse.
Policia arriti ta identifikojë të dyshuarin, Fatjon Rrika, një 32-vjeçar. Ai u arrestua në fshatin Zhejë të Kurbinit teksa drejtonte të njëjtin motor, të cilin dyshohet se kishte edhe ditën e kryerjes së krimit.
"Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera me qëllim përcaktimin e autorësisë dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur më datë 15 mars 2026, në lagjen “Besëlidhja”, ku u shkatërrua me lëndë plasëse, automjeti i punonjësit të Policisë, shtetasit Gj. Gj., shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, finalizuan operacionin e koduar “Zoomed In”.
Gjatë operacionit, u identifikua si rezultat i vëzhgimit të hollësishëm të një sërë pamjesh filmike të siguruara në akse të ndryshme, autori i dyshuar i rastit, shtetasi F. Rr., 32 vjeç. 32-vjeçari u arrestua në fshatin Zhejë, Kurbin, teksa drejtonte të njëjtin ciklomotorin, me të cilin dyshohet se kishte shkuar në vendngjarje, ditën e kryerjes së krimit", njoftoi Policia.
Para policisë, i riu nuk ka pranuar autorësinë apo që të ketë konflikte me agjentin Gjetja. Grupi hetimor dyshon se ai mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të vendosur lëndën plasëse në makinën e agjentit të policisë.
Në një njoftim zyrtar, policia e Lezhës thotë se vijon hetimi nën drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, një person i cili dyshohet se ka bashkëpunuar me 32-vjeçarin Fatjon Rrika, për të shpërthyer me tritol makinën në pronësi të agjentit të krimeve. Në motor me të dyshuarin kamerat pikasin edhe një person të dytë, i cili ende nuk është identifikuar.
Sipas policisë, Fatjon Rrika është me precedent penalë në Itali për vjedhje me armë.
Në gjendje të lirë, policia nisi hetimin ndaj babait 66-vjeçar të të dyshuarit, pasi në banesën e tyre u gjet një armë gjahu që posedohej pa leje.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










