LEZHE - Fillimi i sezonit të reshjeve pritet të përkeqësojë situatën në disa akse rrugore në territorin e Bashkisë së Lezhës. Mos përfundimi i investimeve brenda afateve të përcaktuara ka krijuar problemet e para në aksin që të çon drejt spitalit dhe atë të lagjes "Nënë Tereza".

Përrenjtë malorë kanë gërryer shtratin e rrugës çka ka vështirësuar në masë të konsiderueshme lëvizjen e mjeteve. Duke pranuar situatën problematike, kryetari i Bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj thotë se nuk bëhet fjalë për amortizimin e investimeve të kryera por për degradimin e tyre.

Tushaj gjen rastin të akuzojë Ministrinë e Financave se nuk ka disbursuar fondet me të cilat ishte parashikuar të kryheshin këto investime të lëna në mes.

Kryebashkiaku gjithsesi garanton se është i hapur për të bashkëpunuar me Këshillin Bashkiak për gjetjen e fondeve dhe alokimin e tyre për të përfunduar ndërhyrjet në akset problematike.

Tushaj beson se kjo do të mund të arrihet me financim nga buxheti i bashkisë, i cili fatkeqësisht ndodhet në pikën më kritike.

(Gre.M/Shqiptarja.com)