15 pako kanabis, me peshë 3.1 kilogramë, e përpunuar në formë çokollate është sekuestruar nga policia e Lezhës në autobusin e linjës Tiranë-Tropojë. Përmes operacionit ‘Linja’ uniformat blu kanë prangosur drejtuesin e automjetit Alban Ismalaj, i cili tashmë është marrë nën hetim me akuzën e prodhimit dhe shpërndarjes së drogës.

Gjatë këtij operacioni, në Kurbin policia ka ndaluar autobusin dhe pas kontrollit të kryer në bagazhet e tij është gjetur një çantë, brenda së cilës kishte 15 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e përpunuar si çokollatë.

43-vjeçari Ismalaj nga Tropoja është arrestuar në flagrancë. Vijojnë hetimet nga policia , për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.