LEZHE- Kërkesa e Bashkisë Lezhë për të kaluar në këshill një vendim që i hap rrugë grantit prej 3 milionë lekësh të akorduara nga PNUD, ka sjellë sërish përçarjen e këshillit, ndërsa ka ngjallur debat mes kreut të këshillit bashkiak Agustin Marku dhe kreut të grupit demokrat Tonin Uldedaj, si dhe kreut të bashkisë së Lezhës Viktor Tushaj.

Për këtë situatë kanë reaguar kreu i bashkisë Tushaj, si dhe kreu i grupit demokrat Tonin Uldedaj duke e konsideruar mospërfshirjen në rendin e ditës të këtij fondi si ngërçin e radhës në këshill.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kreut të këshillit Agustin Marku, i cili ka deklaruar se ngërci në këtë institucion ka ardhur pasi nuk janë realizuar të ardhurat.

Papajtueshmëri me vendimin e kreut të këshillit bashkiak për vendimet e marra prej tij kanë paraqitur edhe disa këshilltarë, të cilët kanë bojkotuar mbledhjen në shenjë proteste.

Pas këtij momenti mbledhja ka vijuar në minimumin e kuorumit të tij, ku vëmendja kryesore i është kushtuar sërish mungesës së të ardhurave në Bashkinë e Lezhës.

(eç/shqiptarja.com)