Lezhë- Policia e Lezhës ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje. Në pranga ka rënë një 30-vjeçar i identifikuar si Kristian Buzatu.

I riu u kap teksa po lëvizte me një automjet tip “Fiat”, pa targa, në fshatin Shënkoll. Gjatë kontrolleve të kryera blutë  gjetën 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.

Ndërkohë në gjendje të lirë do të hetohen edhe Klisman Ndou dhe Admir Alija, pasagjerët në makinën e 30-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të një informacioni të siguruar në rrugë operative, për një shtetas që lëvizte i armatosur, shërbimet e Seksionit të Mbështetjes Operacionale finalizuan operacionin “Gjerdani”.

Në kuadër të operacionit u ndalua në mbrëmje, teksa drejtonte një automjet tip “Fiat”, pa targa, në fshatin Shënkoll, shtetasi i dyshuar, K. B., 30 vjeç, banues në Lezhë. Gjatë kontrolleve, 30-vjeçarit iu gjet në çantë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, të cilën e mbante pa leje.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin nisi procedimi penal, për veprën “Moskallëzimi i krimit”, për 2 pasagjerët në automjetin që drejtonte shtetasi K. B., shtetasit A. A., 30 vjeç, banues në Durrës, dhe K. N., 25 vjeç, banues në fshatin Tale.

Materialet procedurale iu refruan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.