TIRANE- Qindra hektarë në fshatin Barbullojë, komuna Kolsh e Lezhës janë zgjuar sot të përmbytura nga uji. Shkak është bërë mosfunksionim i i hidrovorit të fshatit Tale për shkak të ndërprerjes së energjisë. Kreu i komunës Ferdinand Ndoi e cilësoi “situatën kritike” ndërkohë që disa banesa janë të rrethuara nga uji.

Për korrespondentin tonë në Lezhë, Julian Hila Kreu i komunës së Kolshit shprehu shqetësimin për situatën në hidrovorin e fshatit Tale. Në këtë hidrodor riparimet kanë nisur por janë lënë përgjysmë, ndërkohë që sezoni i shirave ka ardhur dhe situata bëhet edhe më kritike për zonën.

Gjatë gjithë natës së mbrëmshme ka pasur reshje të dendura shiu dhe një pompë e vetme që funksiononte në këtë hidrovor mbrëmë nuk ka pasur energji, ç’ka shkaktoi dhe përmbytjen e 500 ha tokë.

SQARON MINISTRIA E BUJQESISE

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit njoftoi se që prej mbrëmjes të së dielës, 2 dhjetor 2012, ka nisur të ketë rritje të nivelit të ujit në sipërfaqe toke në disa komunat Zejmen, Shën Koll dhe Kolsh të Lezhës. Sipas saj, përmbytjet janë shkaktuar nga mungesa e energjisë elektrike dhe nuk kanë ardhur për pasojë të defekteve, apo mos funksionimit të pompave të hidrovorit të Tales. Zyra e shtypit e ketij institucioni bën me dije se për t`i paraprirë situatave të tilla, është mbyllur dhe një investim i konsiderueshëm në Hidrovorin e Tales. Me datë 29 nëntor 2012, në këtë hidrovor është instaluar një pompë e madhe me kapacitet rreth 6 m3 ujë në sekondë që së bashku me pompat ekzistuese realizojnë një kapacitet shkarkues më të madh se 10 m3/sekondë. Ky kapacitet bën të mundur largimin e një sasie uji prej 1 milion m3 ujë në 24 orë, pra shmang përmbytjet me nivelin aktual të reshjeve, apo dhe në sasi më të mëdha reshjesh.
Deri në orën 13:00 të datës 3 dhjetor 2012, vetëm për shkak të mungesës së energjisë elektrike janë të përmbytura rreth 500 ha tokë bujqësore dhe zona të banuara.

(Redaksia online)
(sg/shqiptarja.com)