LEZHË - Kopështi “Beselidhja” me i madhi në qytetin e Lezhës është përmbytur këtë të mërkurë. Mësimi është pezulluar për shkak të prezencës së madhe të ujit në dhomat e katit të dytë dhe të tretë.
Drejtori i Arsimit në Bashkine Lezhë, Nikolin Shtjefni sqaron se “gjatë natës ka pasur një defekt në sistemin e ujit, një tub në banjo është çarë nga presioni i lartë i ujit dhe në mëngjes është konstatuar prezence uji në katin e dytë dhe të tretë. Mësimi për sot është pezulluar ndoshta dhe për nesër, pasi kemi frikë për ndonjë masë nga sistemi elektrik. Pjesa hidraulike e rrjedhjes së ujit është rregulluar, tani presim edhe elektricistët”.
Rreth 250 fëmijë janë përcjellë në shtëpi. Godina e kopështit "Besëlidhja" është rikonstruktuar 5 vite më parë dhe ka kushtuar 50 milionë lek (të reja).
Reshjet e shiut të rëna gjatë natës kanë krijuar probleme dhe në rrugë. Konkretisht në bllokun e banimit 11.2 hektare të lagjes Beselidhja.
Kjo është një situatë e vazhdueshme sa herë ka reshje shiu, për shkak të bllokimit të kanalizimeve nën tokësore, ndërsa asnjë masë nuk është marrë për ti dhënë zgjidhje problematikës.