Policia e Lezhës ka arrestuar këtë të shtunë, 3 inspektorë të tatimeve, dhe ka shpallur në kërkim një tjetër për shpërdorim detyre pasi nuk konfiskuan mallin pa dokumente tatimore.

Sipas policisë mësohet se gjatë operacionit të koduar “Thundër” janë proceduar penalisht Alma Hasanaj dhe Nikolin Radovani, të dy me detyrë inspektor tatimesh në Shkodër, Nikolla Kalaj, inspektor tatimesh në Lezhë ndërsa është shpallur në kërkim Armando Gjokaj 25 vjeç, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë.

“Ndalimi dhe shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u krye pasi nga ana e tyre me datë 10.03.2016, kanë ushtruar kontroll në subjektin e shtetases E.P. në lagjen “Besëlidhja qyteti Lezhë, ku gjatë kontrollit të ushtruar ndër të tjera në zbatim të urdhërit ditor të punës kanë bërë inventarizimin e mallit të këtij subjekti, dhe skanë bërë konfiskim të plotë të mallrave pa dokumenta tatimore, duke shkelur Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 Per proçedurat tatimore në R.SH. Pas nje pune operative u ngrit një grup për rikontrollin e subjektit dhe u konstatuan një sasi mallrash të ndryshme të pajustifikuara me dokumenta tatimore, mallra të cilat janë konfiskuar në bashkëpunim me Inspektorët e Drejtorisë Rajonale Tatimore Lezhë,” thuhet në njoftimin e Policisë së Lezhës. 

Po ashtu është proceduar në gjendje të lirë për fshehje të të ardhurave, 37 vjeçarja me inicialet E.P, e cila ushtron aktivitet privat për tregtim artikujsh të ndryshëm. Nga hetimi, rezultoi që inspektorët e tatimeve kishin shkuar për kontroll në dyqanin e 37-vjeçares dhe nuk kishin konfiskuar mallrat pa dokumente tatimore.

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)