Muzika qytetare shqiptare u soll në një formë ndryshe, mes ritmeve Blues dhe Jazz, në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë.

Protagonistë të mbrëmjes artistike ishin motër e vëlla, Ester Shema në flaut e vokal, si dhe Aron Shema në kitarë, të shoqëruar nga profesorët e muzikës Mirger Tusha dhe Mitea Kakusi.

E gjithë performanca erdhi live, duke dhuruar momente magjike dhe plot emocione për publikun që kishte mbushur sallën.

Interpretuesit e këtij koncerti u shprehen se kjo mbrëmje erdhi si një bashkëpunim interesant mes brezave, duke rikthyer në skenë këngë që kanë bërë histori në muzikën shqiptare dhe njëkohësisht si një mënyrë për të ripërtërirë vlerat e saj artistike.

“Kemi sjellë një repertor me këngë popllore shqiptare që nuk vdesin kurrë. Live është momenti më delikat për artistët, sepse mund të ndodhë çdo gjë. Janë 3 muaj punë intensive. Jemi shumë krenarë për çfarë kemi sjellë. Pritshmëritë tonë u kaluan”, tha Ester Shema.

“Jam shumë i gëzuar. Falenderoj profersorin që na ka ndihmuar”, shtoi Aron Shema.

I pranishëm në këtë koncert kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se aktivitete të tilla tregojnë se arti në qytet po zhvillohet dhe se të rinjtë po i japin një shtysë të rëndësishme jetës kulturore.

“Ishte një kënaqësi e jashtzakonshme të dëgjoje këtë koncert. Është një arsye për tu gëzuar, janë një premtim i jashtëzakonshëm  për artin dhe kulturën e Lezhës”, tha Pjerin Ndreu.

Koncerti i titulluar “Tinguj që jetojnë” zgjati rreth 60 minuta, duke tërhequr maksimalisht vëmendjen e publikut, i cili nuk i kurseu ovacionet dhe duartrokitjet.