Lezhë/ Tushaj: Kam qenë pranë problemeve të qytetit, të vijojmë së bashku


- Kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj takim me ish-ushtarakë në Lezhë dhe me personelin shëndetësor në komunën e Shënkollit-
LEZHË, 28 Maj/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Kandidati i përbashkët i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për Bashkinë e Lezhës,  Viktor Tushaj zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së ish-Ushtarakëve.
I shoqëruar dhe nga deputeti i Qarkut të Lezhës,  Arben Ndoka, Kandidati i ASHE-së theksoi se Shoqata e ish-Ushtarakëve ka nevojë për më shumë vëmendje për shkak të barrierave që ka kaluar.
Në fjalën e tij, Tushaj tha se Qeveria shqiptare e ka kthyer tashmë vëmendjen nga kjo kategori, duke qenë të vëmendshëm edhe për kontributin që ata kanë dhënë e vazhdojnë të japin në zhvillimin e shoqërisë.
"Unë vij sot përpara jush në këtë takim me eksperiencën e një kryetari bashkie që është përpjekur gjatë këtyre 8 viteve të realizojë ato projekte që ka patur nevojë qyteti. Është shumë e rëndësishme të thuhet se gjatë kësaj përpjekje unë kam ditur të besoj dhe të krijoj ato modele që ne na udhëheqin në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të qytetit. Projektet infrastrukturore të realizuara në shkolla janë sot modelet më të mira, jo vetëm të rrethit, por të mbarë Shqipërisë.  Modelet infrastrukturore në rrugë, në sheshe janë ato të cilat besoj sot janë projekte që jo vetëm po mbahen si projektet më të mira në Shqipëri, por jam i bindur se do të ndikojnë në cilësinë e jetës së të gjithë qytetarëve", tha Tushaj.
Në vijim të fjalës së tij, Tushaj u shpreh se me këtë mbështetje të jashtëzakonshme, do të realizohen një numër i madh projektesh për Bashkinë e re të Lezhës. "Me atë mesazh që ju do të dini të përcillni në çdo familje lezhjane, besoj se do të më jepni mundësinë që projektet të cilat janë hartuar për zhvillimin ekonomik, social e kulturor të bashkisë së re do të mbështeten nga Qeveria shqiptare, do të mbështeten nga Kryeministri , do të mbështeten nga mazhoranca dhe nga "Aleanca për Shqipërinë Europiane", por dhe nga partnerët dhe nga donatorët", tha ai.
"Kjo është sfida jo  vetëm e kryetarit të Bashkisë dhe e deputetëve,  por besoj është një sfidë për të gjithë ne, për të siguruar zhvillimin e qytetit, për të siguruar zhvillimin dhe një garanci edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është shumë e rëndësishme të them sot që mbështetja për kryetarin e bashkisë është sfida jonë e përbashkët, por duhet të dini se kryetari i bashkisë ka nevojë edhe për parlamentin e tij, ka nevojë edhe për këshillin bashkiak. Të marrim vendimin e duhur në një kohë sa më të shkurtër për të mos humbur kohë", theksoi Tushaj.
Duke shprehur mbështetjen dhe vlerësimin për kandidatin e së majtës për Bashkinë e Lezhës, deputeti i PS-së,  Arben Ndoka, kërkoi mbështetjen e ish-ushtarakëve më 21 qershor, në mënyrë që Lezha të vijojë rrugën e zhvillimit të sigurtë.
Ndoka vlerësoi rolin që kanë luajtur ushtarakët dhe kontributin e tyre në shoqërinë shqiptare. "Unë ju premtoj që do ta çojmë zërin në Parlament dhe kudo ku nevojitet. Sot jemi për të kërkuar mbështetjen për Viktorin, për të kërkuar votën dhe influencën tuaj nëpërmjet kontributit të dhënë në vite jo vetëm në qytetin e Lezhës, por në të gjithë rrethin, në mënyrë që të kemi një fitore me rezultat sa më të thellë. Të kemi një fitore e cila të na shërbejë në katër vitet e ardhshme, ashtu siç edhe Viktori ka vënë në dispozicion vullnetin, dëshirën dhe vizionin e tij", tha  Arben Ndoka.
Kandidati i përbashkët i "Aleancës për Shqipërinë Europiane" për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj i shoqëruar dhe nga deputetja e Qarkut të Lezhës, Monika Kryemadhi, zhvilloi një takim edhe me personelin shëndetësor në komunën e Shënkollit, e cila prej vitesh punon në kushte aspak të përshtatshme. Tushaj garantoi stafin mjekësor që punon në këtë qendër shëndetësore për investime dhe për ndryshimin e kushteve të punës me qëllim rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve të kësaj zone./m.m/
 

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Moti i keq, frika nga reshjet e dendura, bashkia Vlorë bën thirrje qytetarëve: Mos parkoni makinat në këto zona