“Dua që të garantoj të gjithë banorët e Kallmetit se vullneti im i bashkuar me vizionin dhe strategjinë, por edhe atë eksperiencë që unë kam ndërtuar gjatë këtyre 8 viteve në drejtimin e Bashkisë së Lezhës, besoj se do të jenë të mjaftueshme për të bindur të gjithë banorët për të më dhënë besimin e duhur për të vazhduar rrugëtimin në një 4-vjeçar për të zhvilluar ekonomikisht të gjithë komunën e Kallmetit. Ju keni forcë për të besuar tek ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’, për të besuar te Viktor Tushaj si përfaqësues i këtyre vlerave të këtij koalicioni se do të dijë të ndërtojë raportin e duhur me qeverinë shqiptare”, - tha Tushaj gjatë këtij bashkëbisedimi.
Gjithashtu, kandidati i së majtës përmendi edhe investimin që po bëhet në ujësjellësin e Lezhës, që do të jetë një vepër e standardeve më të mira evropiane.
“Sot ne po ndërtojmë një ujësjellës me parametra bashkëkohorë evropian, ku tubacionet janë marrë nga kompanitë më të mirë prodhuese sot në Gjermani, ku hartuesit e projekteve janë nga studiot më të mira austriake që dinë dhe njohin shumë mirë se si funksionojnë ujësjellësit. Edhe ata të cilët po e implementojnë janë kompani me eksperiencë shumë të madhe dhe jam i bindur se do ta realizojnë me standardin e duhur”, - vijoi z. Tushaj, duke shtuar se Kallmeti është një ndër zonat më të veçanta të bashkisë së re të Lezhës.
Sipas kandidatit për kryetar të bashkisë, me bukuritë dhe resurset që ka, kjo njësi e re administrative premton zhvillim dhe mirëqenie për banorët.
“Por këto resurse deri më sot nuk kanë ditur të shfrytëzohen apo menaxhohen, ndaj për banorët e Kallmetit zgjidhja e duhur, për t’u nisur në drejtimin e duhur, është ‘Aleanca për Shqipërinë Europiane’. Banorëve të Kallmetit ju garantoj vullnetin tim të plotë, vizionin dhe strategjitë, e një zhvillimi real, përmirësimi të shërbimeve publike dhe rritje të mirëqenies”, - theksoi ndër të tjera Viktor Tushaj gjatë fjalës së tij.
Kandidati i majtë në këto takime shoqërohej nga deputet, Arben Ndoka dhe Gjovalin Kadeli
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)