Në këto takime, Tushaj ishte i shoqëruar nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, deputetët e qarkut të Lezhës, Monika Kryemadhi, Gjovalin Kadeli dhe Arben Ndoka.
Në fjalën e tij përpara qytetarëve, Tushaj theksoi se ai nuk garon me kundërshtarin e tij, por me qytetarët që të zgjidh hallet dhe problemet e tyre. Kandidati i "ASHE" ripërsëriti premtimin e tij se pas 21 qershorit nëse fiton votëbesimin e këtij elektorati do të mund të sjellë modelet dhe vizionin e duhur për zhvillimin e Zejmenit dhe gjithë njësive të tjera në rrethin e Lezhës.
"Të ndërtojmë ato modele shërbimesh të cilët ndikojnë çdo ditë në cilësinë e jetës së qytetarëve. Ne përpiqemi të transmetojmë mesazhin, vizionin strategjinë, projektet tona që i duhen zonave, njësive tona administrative kudo. Mbi çdo nevojë, mbi çdo hall dhe shqetësim të banorëve të komunës së Zejmenit apo njësisë administrative të Zejmenit", tha Tushaj.
Deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pohoi në fjalën e saj se banorët e Zejmenit meritojnë më shumë shërbime dhe punësime dhe për këtë duhet të zgjedhin alternativën e duhur që është kandidati i "Aleancës për Shqipërinë Evropiane", Viktor Tushaj.
"Që do të zgjidhni mundësinë për të pasur një jetë më të mirë, për të pasur shërbime më të mira, për të pasur më shumë punësim, për të pasur ujë nëpër shtëpitë tuaja, për të pasur rrugë më të mira, për të pasur kopshte më të mira, shkolla më të mira dhe për të pasur një standard jete shumë më të mirë, atë çka ju meritoni shumë më shumë se ç'ju është ofruar deri sot. Ne sot do t'ju kërkojmë votën për të zgjedhur atë çka është më e mirë për ju, dhe ajo çka është më e mirë për ju, nuk është gjë tjetër vetëm ajo ç'ka menduar 'Aleanca për Shqipërinë Evropiane', kandidatin Viktor Tushaj për kryetar të Bashkisë Lezhë, sepse është alternativa e vetme për të cilën Lezha ka nevojë për të pasur një qytet me standarde evropiane për të pasur një qytet që ju e meritoni më shumë se kushdo tjetër", tha Kryemadhi.
Në të njëjtën linjë mbështetjeje për kandidatin Viktor Tushaj, ishte dhe ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. "Ju jeni shpresa dhe mundësia e vetme që ky realitet i sotëm të ndryshojë, dhe është shumë e thjeshtë, bëni zgjedhjen e Duhur, votoni Viktor Tushaj", tha Kodheli.
Gjatë takimit që zhvilloi me banorët e fshatit Mabë të komunës Zadrimë, kandidati i "ASHE"-së, Viktor Tushaj, dëgjoi problematikat e tyre sa i takon mungesës së ujit të pijshëm dhe infrastrukturës. Tushaj u premtoi atyre vullnetin dhe eksperiencën e tij për të vënë në rrugën e zgjidhjes çdo nevojë të tyren. /atsh/