TIRANE-  Komuniteti i homoseksualëve në vend në siglën LGBT kërkon që partia e Ekrem Spahisë PLL të shpallet antikushtetuese. Kërkesa është hartuar dhe do t’i paraqitet organit më të lartë gjyqësor në vend. Ragimi i LGBT pason deklaratat më të fundit të kryelegalistit Ekrem Spahisë që prekin trupin diplomatik ne vend,  ambasadorin holandez Hen Van Der DooL.

“U njohëm sot me deklaratat e papërgjegjshme, krejtësisht të palogjikshme dhe të rrezikshme të z. Ekrem Spahia, i cili pa e kuptuar as vetë kërkon të nxisë një incident diplomatik me një prej vendeve anëtarë te Bashkimit Europian. Por ajo që shokon është fakti se ky politikan duket se është i paaftë të kuptojë veprimet dhe domethënien e deklaratave që lëshon. Qartazi zoti Spahia nuk ka lexuar asnjë rresht të Kushtetutës së Shqipërisë, nuk njeh asnjë protokoll ndërkombëtar dhe asnjë konventë ndërkombëtare që Shqipëria ka nënshkruar dhe ratifikuar prej kohësh”,  thuhet në reagimin e LGBT.

Duke vijuar këtu LGBT shprehet se nëse ambasadori i Vendeve të Ulta duhet të shpallet person non grata në Shqipëri atëherë i bie të shpallet non grata edhe Ambasadori i SHBA i cili mbështet publikisht të drejtat e komunitetit LGBT, ambasadori i BE, i cili gjithashtu mbështet publikisht të drejtat e LGBT, si dhe ambasadorë të tjerë që mbështesin të drejtat e këtij komuniteti.
LGBT shprehet e shqetësuar se deklaratat e përsëritura të kreut të legalistëve janë dëshmi e një mentaliteti që nxit urrejtje dhe dhunë.

LGBT kanë përsëritur thirrjen ndaj kryeministrit Berisha të shkarkojë Ekrem Spahinë nga posti i zv ministrit të mbrojtjes, ndërkohë që është në pritje të përfundimit të hetimeve nga ana e Prokurorisë pas një padie penale të depozituar aty.

KËRKESA E LGBT NË GJYKATËN KUSHTETUESE

Nga ana tjetër kërkesat e LGBT shkojnë dhe më tej kur kërkojnë shpalljen e PLL si parti të paligjshme. Një kërkesë i është drejtuar për këtë qëllim Gjykatës Kushtetuese
“Në mënyrë të përsëritur kryetari i kësaj partie z. Ekrem Spahiu dhe dy nënkryetarë të saj, z. Murat Basha dhe z. Sulejman Gjana kanë bërë thirrje për dhunë dhe kanë nxitur urrejtjen ndaj një pjesë të popullsisë, siç është komuniteti LGBT (Gej, Lezbike, Biseksualë dhe Transgjinorë)”, thuhet në kërkesën e LGBT drejtuar Kushtetueses.

LGBT iu referohet dy rasteve, deklaratës së parë të zotit Spahia në GSH ku ai u shpreh
“Unë s'kam ndonjë koment tjetër, vetëm t'i 'kap në hu ato'.

Dhe së fundi deklaratës së një dite më parë në emisionin ““Ilva Tare Tonight”

“Vetë ai i pyetur në emisionin “Ilva Tare Tonight” ka refuzuar të përgënjeshtrojë atë deklaratë duke pohuar se i qëndron asaj që ka thënë. Ndërsa zotërinjtë Sulejman Gjana dhe Murat Basha, nënkryetarë të kësaj partie duke mbështetur deklaratën e z. Spahiu dhe në frymën e saj kanë ripërsëritur thirrjet për dhunë dhe urrejtje, përkatësisht në emisionin “Zonë e Lirë” dhe në emisionin “Opinion” të dyja të transmetuara nga televizioni kombëtar Klan (që disponon edhe kasetat përkatëse origjinale)” , thuhet në kërkesën e përgatitur për Gjykatën Kushtetuese.

Komuniteti LGBT akuzon Spahinë se ka shkelur ligje të rëndësishme, por dhe konventa ndërkombëtare.
Më konkretisht LGBT akuzon Spahinë se ka shkelur nenin 4 të Ligjit  për Partitë Politike ku thuhet se “Partitë politike, në veprimtarinë për arritjen e qëllimeve të tyre, përdorin vetëm mjete dhe metoda demokratike”.
Por sipas  LGBT qëndrimet e PLL bëjne thirrje për dhunë dhe diskriminim ndaj një pjesë të popullsisë dhe frymëzojnë urrejtje.
LGBT shprehet se deklaratat e Spahisë janë shkelje e hapur edhe  e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut ku garantohen këto liri dhe të drejta e ku ndalohet diskriminimi.

(ns/shqiptarja.com)