TRIPOLI - Kryeministri i Libisë Ali Zeidan, u rrëmbye mëngjesin e sotëm nga një grup njerëzish të armatosur në një hotel në Tripoli, për të cilat qeveria libiane, dyshonte se mund të kenë qenë dy grupe të ish-rebelëve.

Rrëmbimi u krye si akt hakmarrje për rolin që qeveria kishte luajtur në arrestimin e një eksponenti të rëndësishëm të Al Kaedas. Disa orë më pas burime nga forcat e sigurisë thanë se kryeministri u lirua.  

LAJMI I RREMBIMIT
Njoftimi për rrëmbimin e tij, u dha sot në mëngjes nga dy televizione arabe Sky News Arabia dhe Al Arabiya, të cilët kanë cituar burime të sigurisë libiane.

Rojet e sigurisë së hotelit, dyshojnë se mund të ketë qenë një arrestim dhe jo një rrëmbim. Për qeverinë libiane, nuk ka asnjë dyshim, që kemi të bëjmë me një rrëmbim personi, nga dy ish-grupe rebelësh, që janë “Dhoma e revolucionarëve në Libi” dhe “Brigada e luftës kundër krimit”, grupe të cilët, varen nga Ministria e Brendshme dhe nga Ministria e Mbrojtjes.

Është bërë e ditur se Këshilli i Ministrave, është mbledhur në një takim urgjent, për të bërë të mundur përballimin e kësaj situate, duke nënvizuar se qytetarët duhet të mbajnë qetësinë, për të mos krijuar panik.
 
Redaksia online
(eb/ac/shqiptarja.com)