Përshkallëzohet situata në Libi, ku aviacioni ushtarak egjiptian vazhdon bombardimet e pozicioneve strategjike të terroristëve të ISIS. Sipas burimeve lokale mësohet se gjatë natës ka pasur dhjetëra të vrarë në Derna, ku janë pozicionuar më shumë dhe sulmet ajrore. Presidenti Egjiptian Abdel Fattah al-Sisi i ka kërkuar Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara të bëjë ndërhyrje ndërkombëtare në Libi, për të gjetur një zgjidhje.

Lideri i Egjiptit ka theksuar se nuk ka zgjidhje tjetër dhe se situata kërkon sulme të përsëritura. Edhe ambasadori egjiptian në Romë mbështet emergjencën e kësaj ndërhyrje duke paralajmëruar se situata duhet të konsiderohet më emergjente, pasi ISIS ndodhet pak kilometra nga Roma dhe OKB duhet të marrë përgjegjësitë pasi nuk mjaftojnë vetëm sulmet në Siri dhe Irak, por duhet të veprohet dhe në Libi.

Ndërkohë organizata palestineze Hamas kundërshton ndërhyrjen e “vendeve si Italia” që pretendojnë se “po luftojnë terrorizmin”, sipas një citimi të një prej drejtuesve, Salah Bardawil. “Një ndërhyrje e tillë ushtarake do të konsiderohej si një kryqëzatë e re kundër vendeve arabe e myslimane”, ka theksuar Bardawil.

Lideri i shtetit islamik nga ana tjetër, Abu Bakr al Baghdadi, është gati të hakmerret për sulmet ajrore të Egjiptit në Sirte dhe Derna, në Libi, duke kërkuar pengmarrje të reja të punëtorëve egjiptianë. Lajmi bëhet me dije nga një e përditshme saudite sipas burimeve të afërta me organizatën xhihadiste. Sipas tyre “al Baghdadi ka gati një operacion të shpejtë për t’u hakmarrë ndaj sulmeve egjiptiane në Libi”.


(v.gj/shqiptarja.com)