Libia duket se është “ferri” i të huajve. Pas vrasjes së disa turistëve në një kompleks, tashmë është radha e italianëve. Katër italianë janë rrëmbyer në Libi në afërsi të kompleksit Mellitah të naftës dhe gazit, një zonë strategjike ku ndodhet tubacioni Greenstream, që përdoret për transportin e naftës nga Gela, në Sicili. Të rrëmbyerit ishin punonjësit e kompanisë BONATTI me qendër në Parma,e cila është e specializuar për ofrimin e shërbimeve në mbarë botën në industrinë e naftës duke punuar në projekte të ndryshme.

Pas kësaj ngjarje ministria e Jashtme italiane mori masa të menjëhershme për të ndjekur çështjen dhe është në kontakt të vazhdueshëm me familjet e bashkatdhetarëve dhe me kompaninë BONATTI. Sipas burimeve lokale italianët u rrëmbyen pranë Zuaia, qytetet nën kontrollin e milicive islamike që mbështesin qeverinë e Tripolit në veri-perëndim të vendit të Afrikës Veriore. Policia nuk ka identifikuar ende rrëmbyesit. 

Për ministrin e Jashtëm Paolo Gentiloni aktualisht është e vështirë të spekulojë në lidhje me autorët e rrëmbimit të katër italianëve në Libi por shtoi se njësia e emergjencës në Ministrinë e Jashtme është duke punuar me shërbimin e inteligjencës.
 
Zona Mellitah është raportuar edhe më parë nga shërbimet italianët në Libi, si një nga më të ekspozuarat ndaj kërcënimit të ISIS. 

Pas mbylljes së Ambasadës Italiane në Libi më 15 shkurt, ministria e jashtme kishte raportuar gjendjen tejet të vështirë të vendit dhe i bëri thirrje të gjithë bashkatdhetarëve të largohen nga Libia pasi vendi ndodhet në një krizë dhe nuk garantohej siguria e tyre. 

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)