LIBRAZHD - Një skenë makabre, e denjë për një film horror është regjistruar në fshatin Dardhë të rrethit të Librazhdit, ku një 55-vjeçar e ka lyer fillimisht me benzinë e më pas i ka vënë flakën bashkëfshatarit të tij 26-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në banesën e shtetasit Jashar Hoxha, 55 vjeç banues në fshatin Dardhë dhe i dëmtuar ka mbetur shtetasi Servet Poçi, 26 vjeç.

Policia e Elbasanit ka njoftuar mëngjesin e sotëm për arrestimin e 55-vjeçarit, të zotit të shtëpisë ku ka ndodhur edhe ngjarja e rëndë. Jashar Hoxha rezulton të jetë autori i tentativës së vrasjes, ngjarje që sipas policisë së këtij qarku ka patur si motiv kryesor atë të konfliktit për pronën.

Në njoftimin e saj për shtyp policia e Elbasanit ka theksuar se 26-vjeçari Servet Poçi ka shkuar në banesën e Jashar Hoxhës për të diskutuar rreth konfliktit të tyre, ndërkohë që i zoti i shtëpisë e ka pritur për darkë në banesën e tij së bashku me një tjetër bashkëfshatar. Në një moment sipas policisë, 55-vjeçari Hoxha i ka hedhur benzinë në trup 26-vjeçarit dhe më pas i ka vënë flakën, si rezultat i të cilëve ky i fundit ka marrë shumë djegie. 26-vjeçari është duke marre ndihmë mjekësore të specializuar në spitalin ushtarak të Tiranës.

FAMILJARET: NUK KEMI KONFLIKT PRONESIE, KEMI LIDHJE GJAKU
Prindërit e Servet Poçit theksojnë se kjo ngjarje e rëndë e cila i ka shokuar të gjithë ka ndodhur mbrëmjen e datës 15 dhe jo natën e mbrëmshme siç është komunikuar nga policia e Elbasanit. Prindërit e Poçit mohojnë kategorikisht të kenë patur konflikt me familjen Hoxha, madje sipas tyre ata janë edhe të afërm pasi kanë lidhje gjaku midis tyre.

Babi i Servetit, Fatmir Poçi shton se autori i ngjarjes Jashar Hoxha njihej si person problematik por që me familjen e tyre nuk kanë pasur kurrë konflikte. Fatmir Poçi shprehet se kjo ngjarje ishte krejtësisht e papritur dhe e paimagjinuar për ta, ndaj në emër të familjes së tij, Fatmir Poçi i bën thirrje drejtësisë të veprojë në përputhje me ligjin.

Ndërkohë vëllai i Servetit, Arbeni i ka bërë apel drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vendosë përpara drejtësisë autorin e kësaj tentative për vrasje, në të kundërt do të jenë familjarët e tij që do ta vendosin këtë drejtësi.

Ndërsa zanafilla e kësaj ngjarjeje makabre është ende e pazbardhur nga organet e rendit, informacione pozitive vijnë nga Spitali Ushtarak i Tiranës ku mësohet se gjendja e 26-vjeçarit Servet Poçi ka shënuar përmirësim duke dalë nga rreziku për jetën.

(eç/shqiptarja.com)