LIBRAZHD- Ish-futbollisti i ekipit kombëtar Ilir Alliu, 41 vjeç, është vënë në pranga mbrëmjen  e djeshme në Librazhd, pasi mësohet se, ka shkaktuar një sherr me një efektiv policie. Burime nga uniformat blu të Elbasanit kanë bërë të ditur se, 41-vjeçari Alliu është konfliktuar fizikisht me punonjësin e policisë, Shaban Belba.

Ngjarja mësohet se ka ndodhur në orët e pasdites së djeshme në qytetin e Librazhdit. Pas zënkës me efektivin e policisë, për shkaqe ende të pasqaruara, Alliu ka tentuar që të ikë, por është ndaluar nga policia. Në momentin e arrestimit ish-futbollisti ka bërë rezistencë ndaj policisë duke fyer dhe dhunuar edhe grupin e shoqërimit. Për këtë arsye ai është shoqëruar me forcë për në ambientet e Komisariatit të Librazhdit, ku është izoluar në qeli.

Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se, Ilir Alliu do përballet me akuzën e kundërshtimit dhe goditje të efektivëve të policisë në krye të detyrës. Karriera e suksesshme e tij si futbollist, i cili luante në rolin e mbrojtësit, ka bërë që Ilir Alliu, me origjinë nga zona e Hotolishtit të ishte edhe drejtues i ekipit Sopoti, i emëruar disa vitë më parë në këtë detyrë. Gjithashtu ai ka luajtur edhe me Tiranën disa vite më parë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)