LIBRAZHD - Një makinë në të cilën dyshohet se udhëtonin 4 persona ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin. Aksidenti ndodhi te Kthesa e Murrashit që lidh Librazhdin me Elbasanin.

Pas rreth 6 orësh polumbarët kanë mbërritur në Librazhd dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e trupave të zhdukur nga aksidenti. Nga kërkimet që zgjatën rreth 1 orë u gjetën vetëm dokumentet e automjetit që i përket shtetasit Shkëlzen Smira nga Tirana. Ende nuk dihet nëse ky shtetas ishte drejtuesi i mjetit, apo është thjeshtë pronar i makinës dhe atë e drejtonte dikush tjetër.

Automjeti po udhëtonte në drejtim të Elbasanit, kur ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumë, ndërkohë që rrjedha e lumit e ka marrë 3-4 km. Makina është gjetur disa minuta më vonë në vendin e quajtur Mirakë. Sipas dëshmitarëve okularë, dyshohet se ne mjet udhëtonin 4 persona.

Mësohet se polumbarët ishin angazhuar me kërkime të tjera në liqenin e Shkopetit në Mat, pasi një ditë më parë një tjetër automjet përfundoi në ujërat e liqenit. Sipas policisë për këtë rast mund të kemi të bëjmë me një aksident rrugor ose persona me precedentë penalë, të cilët kanë hedhur makinën në lumë për të fshehur prova të një krimi, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë.

Redaksia Online
(sg/shqiptarja.com)