ELBASAN - Disa komuna të Librazhdit vazhdojnë të mbeten pa energji elektrike për shkak të dëmtimit të shtyllave dhe këputjes së përcjellësve elektrikë nga reshjet e mëdha të dëborës dhe era e fortë.

OSHEE në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Tensionit të Lartë ka vazhduar dërgimin e shtyllave dhe rilidhjen e energjisë në disa zona të Librazhdit edhe gjatë ditës së sotme.

Fillimisht ndërhyrja është përqendruar në zonat e afërta ku edhe lëvizja e mjeteve është e mundshme. A1 Report ka qenë bashkë me punonjësit e OSHEE në fshatin Togëz ku po punohej për rilidhjen e përcjellsave të dëmtuar.

Drejtori rajonal i Tensionit të Lartë Robert Lili theksoi se punonjës të OSHEE nga Tirana dhe Durrësi po i bashkohen punonjësve të tjerë për të bërë të mundur që rikthimi i energjisë në 4 komuna të Librazhdit të bëhet sa më shpejt.

Siç edhe thonë vetë banorët në ditë të vështira ata janë bashkë dhe kjo ka bërë që situata të jetë e përballueshme edhe pse dritat mungojnë për ditë të tëra dhe askush nuk ka një telefon të karikuar që të lajmërojë në rast problemesh shëndetësore.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)