LIBRAZHD-Një 53-vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për trafikim të mjeteve motorike, e ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Në pranga ka rënë 53-vjeçari Xh. B., e ndërsa është shpallur në kërkim A. R., banues në Strugë, Maqedoni e Veriut.
Mësohet se këta dy persona në bashkëpunim me të tjerë kanë organizuar trafikimin e disa automjeteve nëpërmjet kufirit të gjelbër jashtë pikave të kalimit kufitar, nga shteti i Maqedonisë së Veriut drejt Shqipërisë. Në kuadër të këtij operacioni është sekuestruar një autoveturë e markës Volkswagen Passat, me targa të shtetit të Maqedonise së Veriut, në pronësi të një maqedonasi. Automjeti është vjedhur në shtetin e Maqedonisë së Veriut dhe me pas trafikuar në Shqipëri.
Policia njofton se vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe sekuestrimin e disa automjeteve të trafikuara nga ky grup personash, për të cilat, uniformat blu nuk japin të dhëna për arsye hetimi.
Mbi ta rëndon akuza për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike“.